
Abdixhiku kërkon mbështetjen e Greqisë për integrimin e Kosovës në BE
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur të martën në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Heleni Vakali.
Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe qëndrimet e LDK-së rreth situatës aktuale. Abdixhiku ka ritheksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, si dhe avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Po ashtu, Abdixhiku ka vlerësuar rolin e Greqisë si një shtet anëtar i Bashkimit Evropian (BE) dhe si një partner i rëndësishëm rajonal, duke theksuar se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Greqisë në proceset integruese evropiane dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
“LDK mbetet e përkushtuar për thellimin e këtij bashkëpunimi në shërbim të stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon”, ka njoftuar LDK-ja.