
Abdixhiku: LDK-ja del e para me votat nga jashtë, ky rezultat tregon se ideali e zhbën propagandën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo parti ka dalë e para me votat nga diaspora.
Teksa ka falënderuar mërgimtarët, Abdixhiku ka thënë se ky është rezultati më i mirë lokal që LDK-ja ka marrë nga mërgata që nga shpallja e pavarësisë.
“ju faleminderit mërgatë! Ju kujtohet zhurma e madhe para disa muajve rreth mbështetjes për LDK-në nga mërgata? Ja ku jemi sërish, tetë muaj pas, mërgata foli prapë dhe foli qartë! LDK del e para me votat nga jashtë! Plot 30.25 për qind, nga gati 30 mijë votues nga jashtë i kanë dhënë mbështetje LDK-së, duke rikonfirmuar edhe një herë se puna e vazhdueshme e lidhja e drejtë që kemi mbysin secilën zhurmë. Të 8 093 votuesve tanë, ju themi faleminderit! Ky është rezultati me i mirë lokal që LDK merr nga mërgata që nga shpallja e pavarësisë”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Më tutje, ai ka thënë se kjo është një dëshmi se besimi mbytë zhurmën.
“Jemi krenar. Jemi mirënjohës. Ky rezultat është dëshmi e besimit të madh që mërgimtarët tanë kanë ndaj vlerave, vizionit dhe politikës sonë të përgjegjshme. Është tregues se besimi mbytë zhurmën, ideali e zhbën propagandën, e Lidhja i qëndron kohës. Le të vazhdojmë!”, ka shkruar Abdixhiku.