Abdixhiku: Ligji për pagat të miratohet sa më shpejt

12 shkurt 2018 | 16:51

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka vlerësuar domosdoshmëri miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për nivelizmin e pagave. Ai ka thënë se në mungesë të këtij ligji anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike në Kosovë po vazhdojnë të marrin shtesa mbi pagë të paarsyeshme.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, deputeti i LDK-së ka pohuar se miratimi i Ligjit për pagat do ta pengonte keqpërdorimin e shumë mjeteve financiare. “Pa një ligj të tillë do të jetë e pamundur të korrigjohen të gjitha defektet. Ne si komision po mundohemi aty ku kemi dorë të mbikëqyrjes të institucioneve dhe agjencive të pavarura ta bëjmë rolin tonë, pra  t’i ndërpresim shtesat e caktuara”, ka thënë Abdixhiku.

Për mosmiratimin e këtij ligji ai ka fajësuar partitë në pushtet. Sipas Abdixhikut, këto parti politike këtë neglizhencë janë duke e bërë për interesa të ngushta partiake. “Unë po besoj se ka interesa të mëdha të partive në pushtet për t’i mbajtur militantët partiakë”, ka thënë Abdixhiku.

“Epoka e re”: Z. Abdixdhiku, ju keni qenë propozues i një fondi të kursimit të buxhetit duke shkurtuar mëditjet. Na thoni se si e keni paraparë?

Abdixhiku: Çdoherë kam prezantuar idenë e një plani të kursimit, por fillimisht besoj se buxheti i Kosovës ka hapësirë për kursime të mëdha, sidomos në keqpërdorimin ose keqshfrytëzimin që i bëhet parasë publike, në paga, mëditje, kosto shtesë, udhëtime zyrtare, dreka, darka, e kështu me radhë. Besoj se ka hapësirë për kursime. Unë kam prezantuar dhe idenë e shkurtimit të mëditjeve, sepse është e paarsyeshme që një vizitë zyrtare në Shqipëri të paguhet 250 euro, sa është paga mesatare në Kosovë. Po ashtu, kam prezantuar edhe shkurtimin e shtesave që i marrin institucionet e pavarura në vazhdimësi për punët e tyre që i bëjnë, sepse për punën që e bëjnë ata do të duhej të paguheshin vetëm prej pagave dhe të mos kenë asnjë shtesë tjetër. Fatkeqësisht, një program i tillë i kursimeve s’ka gjetur mbështetje në qeverisjen e tanishme. Konsideroj se do të duhej të ishte detyra e parë e një qeverie serioze që dëshiron të kursej para, më pastaj të njëjtën para ta përdorë në shëndetësi, arsim ose gjyqësi.

“Epoka e re”: Mosmiratimi i Ligjit për nivelizim e pagave po krijon rrugë për keqpërdorim dhe keqmenaxhim të parasë publike?

Abdixhiku: Shumë. Në fakt, pa një ligj të tillë do të jetë e pamundur të korrigjohen të gjitha defektet. Ne si komision po mundohemi aty ku kemi dorë të mbikëqyrjes të institucioneve dhe agjencive të pavarura ta bëjmë rolin tonë. Pra, t’i ndërpresim shtesat e caktuara. Kultura e kompensimit e krijuar deri më tani në institucionet tona që, pos pagës, bordet për të pasur edhe shtesa mbi pagë dhe mëditje për punën e tyre, nuk është në rregull. Po ashtu, dikush bën edhe siguracion të punës, pra i jep vetes shtesë për punën që e bën duke u thirrur në pasigurinë, e kështu me radhë. Dikush tjetër zbulon shtesa tjera që e rrisin në mënyrë artificiale pagën e marrë. Kjo nuk është praktikë e mirë. Andaj, ne si komision jemi duke i ndërprerë të gjitha këto praktika, siç kemi bërë edhe me rastin e anëtarëve të bordit të KOSTT-it. Por, për t’u zgjidhur kjo çështje në nivel nacional të Kosovës duhet të bëhet Ligji për nivelizmin e pagave. Në këtë ligj do të duhej të bëhej edhe shkurtimi i këtyre shtesave, edhe nivelizimi i pagave, pasi ka diskrepancë. Ne shpesh i mirëkuptojmë edhe agjencitë. Për shembull, ka agjenci ku bëhet  punë shumë më shumë, por ka agjenci ku bëhet shumë pak punë. Prandaj, ligji për pagat është domosdoshmëri që duhet të bëhet. Ky ligj është një proces reformator, por edhe i dhimbshëm për shumë kë.

 “Epoka e re”: Pse po pronolgohet ky ligj?

Abdixhiku: Besoj se ka interesa të mëdha të partive në pushtet për t’i mbajtur militantët partiakë. Është logjikë e njëjtë sikurse numri i zëvendësministrave. Qeveria zgjerohet me zëvendësministra duke arritur numrin në 70 apo 80 sosh. Pra, kemi një Qeveri që ka shumë ministra dhe ka shumë njerëz për të akomoduar. Qëllimi është akomodimi i njerëzve në këto agjenci. Partitë politike, që ta bëjnë reformën eventuale, duhet t’i ndërpresin këto përfitime, sepse kjo është rruga e vetme për ta shpëtuar buxhetin e shtetit.

“Epoka e re”: LDK-ja çfarë ka në plan të bëjë si grup parlamentar në këtë drejtim?

Abdixhiku: Ne veçse kemi filluar me punën tonë brenda komisionit. Kemi bërë rimodelimin e pagave të Trustit Pensional të Kosovës. Po ashtu, e bëmë edhe shkurtesën e shtesave të KOSTT-it dhe për secilin raportim që na vjen në komision do t’i bëjmë ndërprerjet e përfitimeve konform ligjeve. Si grup parlamentar kemi parashtruar kërkesë që të bëhet programi i kursimeve në buxhet. Mos të harrojmë se ne jemi opozitë dhe, fatmirësisht, ishim subjekti më aktiv në zvogëlimin e numrit të zëvendësministrave. Fatkeqësisht, propozimet tona s’po merren parasysh nga roli i opozitës. Do të duhej që LDK-ja të jetë në pozitë për t’i bërë ndryshimet eventuale, por në funksionin e tanishëm që jemi si komision po bëjmë shkurtime aty ku po mundemi në bazë të rolit opozitar që kemi.

“Epoka e re”: Pra, ju do ta vazhdoni këtë ritëm për ndërprerje të shtesave me të gjitha ndërmarrjet publike?

Abdixhiku: Po. Çdo ndërmarrje publike që vjen në komisionin tonë do të marrë trajtim të njëjtë dhe të barabartë. Të gjitha shtesat që janë dhënë përtej pagës do të eliminohen. Ju e patë rastin e KOSTT-it. Njëjtë do të veprojmë edhe me të tjerët. Kur ka vullnet ka edhe zgjidhje. Ne do ta bëjmë një gjë të tillë pasi konsiderojmë se ka nevojë që paratë e tyre dhe shtesat përtej pagës, të përdoren për arsim, shëndetësi dhe gjyqësi. Ne kemi paga që kapin shifrën 1 400 euro. Një pagë e tillë është shumë e lartë për një anëtar bordi dhe mbi këtë pagë vendosën shtesa për takime. S’ka logjikë të ketë pagë të lartë dhe të ketë shtesa. Këtu është vetëm një zgjidhje: ose duhet të merret paga ose shuma për pjesëmarrje në mbledhje.

“Epoka e re”: Institucionet financiare ndërkombëtare kanë dhënë shifra optimiste për rritjen ekonomike në Kosovë. Cili është mendimi juaj për këtë?

Abdixhiku: Rritja ekonomike përcaktohet nga faktorët e tjerë. Normalisht se shpenzimet qeveritare janë një, por besoj se ambienti investiv në Kosovë e përcakton më së shumti ritmin e rritjes ekonomike. Natyrisht, rrjedhat e fundit kanë sjellë pasiguri në Kosovë dhe nuk do t’i kontribuojnë rritjes ekonomike të vendit. Tash varet sa do të jetë niveli i investimeve në vend, çfarë do të jenë investitorët e jashtëm për të kuptuar sa do të jetë rritja ekonomike. Ne kemi thënë, edhe në diskutimet tona parlamentare, se vazhdimi i politikës së investimit në asfalt nuk sjellë rritje të nevojshme ekonomike. Rritja e nevojshme ekonomike për Kosovën është 8 deri në 10 për qind, që pastaj të fillojmë të akomodojmë dhe t’i punësojmë të rinjtë të cilët janë të papunë. Për ta bërë një gjë të tillë do të duhej të investonim më tepër në arsim, gjyqësi dhe në ambient biznesor, kurse më pak në projekte të rrugës që na i marrin nga 12 apo 13 milionë euro për kilometër. Kuptohet se rrugët janë të nevojshme, por nuk ka logjikë që buxheti të shkojë veç në asfalt dhe t’i lëmë sektorët e tjerë pa investime. Me një politikë të tillë është e pamundur të ketë rritje ekonomike prej 8 përqindësh çfarë neve na duhet.

“Epoka e re”: Sa para do t’i kushtojë Kosovës numri enorm i zëvendësministrave?

Abdixhiku: Numri i zëvendësministrave në Kosovë, me gjithë ekipet përcjellëse, do t’i kushtojë Kosovës diku rreth 3 milionë euro në vit. Pra, këto janë para shtesë që kanë mundur lehtë të kursehen, por nuk janë vetëm këto para të vetme që janë keqpërdorur. Ne kemi thirrur  interpelancë edhe për keqpërdorimet e tjera. 53 milionë euro u janë falur ambalazhuesve të ujit me një vendim qeveritar që është jokushtetues. Vendimet e faljes së borxheve dhe taksave bëhen nga parlamenti dhe nga Qeveria. Kemi rastin edhe për 60 milionë euro ndaj “Bechtel Enka”-s që janë të paarsyeshme. Prandaj, këtu shihet se ka një shthurje të sistemit financiar në Kosovë dhe dhënies së parave gjithandej, pastaj  dëmet ekonomike janë me miliona, pa hyrë në dëmet e tjera që vijnë në mënyrë indirekte nga politikat jo të përgjegjshme, siç është akrobacioni politik me Gjykatën Special ose mosliberalizimi i vizave. Që të gjitha këto ndikojnë në ekonomi në fund të ditës. 

“Epoka e re”:  Do të duhej të kishim një “Task Forcë” qeveritare lidhur me këto dënime?

Abdixhiku: Besoj se këto penallti u takojnë ministrive përkatëse, institucioneve që i ka Kosova. Është bërë praktikë e zakonshme ku pazaret e tilla bëhen të qëllimshme në mënyrë që të dështojnë dhe më pas të kompensohen palët. Pra, është afër tipike korruptive që ka ndodhur edhe në shumë vende në tranzicion. Kjo është çështje e prokurorisë ta hetojë mënyrën se si arrihet te këto dëme dhe më pas të mbahen përgjegjës njerëzit që shkaktojnë dëmet.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike,…