
Abdixhiku: Me Limajn s’flasim për Kuvend, LDK-ja s’ka çantë magjike – LV-ja nuk do zgjidhje
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas dështimit të seancës së 22-të konstituive, ka deklaruar se partia të cilën ai e drejton ka ofruar zgjidhje, por sipas tij, Vetëvendosje nuk do.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk ka çantë magjike për krizën politike, por siç është shprehur ai, duhet marrëveshje politike.
“Qëndrimet e LDK-së dihen. I takon LV-së që të bëjë zgjidhje. Partitë tjera nuk kanë numra, si duket as partia e parë nuk i ka. Turp, marre çka po ndodh këtu, më shumë se kaq nuk mund të bëjë LDK-ja, nuk ka çantë magjike, duhet të bisedojmë, të flasim për zgjidhjen eventuale. Duhet marrëveshje politike, e vërteta është e thjesht, i ke 48 deputetë dhe nuk je në gjendje të ulesh me dike për zgjidhje dhe thua që nuk është urgjencë, LDK-ja nuk mund të bëjë magji”, ka thënë Abdixhiku.
Më tutje, Abdixhiku ka thënë se me Fatmir Limajn shihet shpesh, por në takimet, ka muhabete miqësore dhe jo për Kuvend.
“Do të flasim për çështje të bashkëpunimit, po afrohen zgjedhjet lokale. Nuk mund të bëjmë zgjidhje në një parlament kur partia e parë nuk do të bëjë zgjidhje, insiston vazhdimisht të krijojë ambiente të tilla cirku”, ka thënë Abdixhiku.