Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Do të kemi nevojë për qartësime shtesë

24 mars 2021 | 16:07

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit të mërkurën me kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin, ka thënë se takimi ishte konstruktiv dhe pozitiv.

Abdixhiku ka thënë se nuk ka ende ndonjë vendim për votimin e Osmanit për presidente.

Sipas kreut të LDK-së, kjo çështje do të diskutohet në organet e LDK-së, e ku pastaj do të organizohet edhe një takim tjetër me Vjosa Osmanin.

“Tani ne kemi biseduar rreth rolit të saj të ardhshëm. Do të kemi nevojë për qartësime shtesë dhe do të kemi kohë për konsultime shtesë brenda partisë dhe në momentin që përfundojnë këto dy procese, atëherë do ta kemi të qartë edhe vendimin përfundimtar. Takimi ka qenë konstruktiv dhe pozitiv”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se në takim po ashtu është diskutuar për përmbajtjen e platformës së kandidates për presidente, Vjosa Osmani. “Kemi diskutuar platformën. Nuk kemi vërejtje sa i përket përmbajtjes së platformës”, është shprehur Abdixhiku.

Ai nuk ka bërë me dije se kur do t’i takojë organet e partisë së tij e as kur do të jetë takimi i ardhshëm me Osmanin, porse ka thënë se nuk duhet thirrur seanca për presidentin, pa pasur unitet mes spektrit politik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Maqedonisë ka kryer një operacion të gjerë në…