
Abdixhiku pasi Luan Dalipi e pranoi që vëllai i tij i është futur tregtisë me rrymë: Kosovës i duhet një SPAK – le ta provojnë fatin aty!
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi kompania e vëllait të Luan Dalipit, Shefit të Stafit të Kryeministrit në detyrë, ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë. Dalipi ekonfirmoi këtë dhe tha se vëllai i tij, Dritoni ka vendosur “ta provojë fatin”, në tregun e lirë energjetik.
Pas kësaj deklarate, Abdixhiku ka thënë se Kosovës i duhet një “SPAK”, e “le ta ‘provojnë fatin’ aty më pas”, shkruan Reporteri.net.
“Le ta provojnë fatin. Se në Kosovë, fatin nuk e provojnë më qytetarët — por familjarët e pushtetarëve. Edhe në subvencione, edhe në grante, edhe në shitblerje të megavatëve. Fat familjarëve. Kosovës ndërsa i duhet një ‘SPAK’. Le ta ‘provojnë fatin’ aty më pas. Do ta bëjmë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se sikurse Shqipëria, edhe Kosova do ta ndërtojë një SPAK (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri). Sipas tij, kështu për të gjitha aferat korruptive dhe veprimet joligjore do të përgjigjeshin përgjegjësit, shkruan Reporteri.net.
Dalipi ka thënë se vëllai i tij ka aplikuar ligjërisht, si qytetar i thjeshtë.
“Dritoni, afarist që 20+ vite, është qytetar i lirë dhe ka të drejtë të angazhohet në zhvillim biznesi, si çdo qytetar tjetër në këtë vend. Unë kam shërbyer me dinjitet dhe përkushtim në këtë Qeveri tash e katër vjet. Kjo nuk do të thotë që e gjithë familja ime ka hyrë në Qeveri. E as që duhet të paragjykohet për lidhje farefisnore me mua. Unë e inkurajoj Dritonin që të jetë sa më i suksesshëm në biznes, ashtu siç e bëj me secilin tjetër në sektor privat. (Lexoni biografinë e shkurtër timen në fund të këtij postimi për ta kuptuar më mirë pse e them këtë.) Dritoni dhe cilido qytetar tjetër ka të drejtë të aplikojë për një licencë në tregun e liberalizuar të energjisë. Pastaj është çështje e tregut – ofertë e kërkesë – për ata që kuptojnë pak nga ekonomia. Nëse është konkurrues, do të kontraktohet nga kompani private. Asgjë më shumë, e asgjë më pak”, ka shkruar ai ndër të tjera.