Abdixhiku pasi u nominua për kryeministër: Vendi ynë ka nevojë për qeveri që punon, e jo që shemb e ndan
Nominimin për kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar këtë vendim si “nderin më të madh politik” që mund t’i jepet një individi, por edhe një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit.
Abdixhiku theksoi se Kosova po hyn në një moment vendimtar, pas, siç u shpreh ai, periudhave të bllokadave, përçarjeve dhe improvizimeve.
Sipas tij, vendit i nevojitet kthjelltësi, përvojë, seriozitet dhe një vizion i qartë euroatlantik. Ai u shpreh se LDK-ja hyn në zgjedhje me një ofertë “shtetformuese”, me program të plotë zhvillimor dhe me një ekip që pretendon t’i japë vendit një drejtim të ri.
Duke falënderuar Kryesinë e LDK-së për besimin unanim, Abdixhiku tha se partia vjen në këtë proces “e fortë, e bashkuar dhe e gatshme”.
Postimi i plotë:
Sonte, Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me unanimitet të plotë. më ka nominuar si kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ky është nderi më i madh politik që mund t’i jepet një njeriu. Por mbi të gjitha, është përgjegjësi. Përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë, ndaj së vërtetës, ndaj së ardhmes që duam ta ndërtojmë.
Kosova po hyn në një moment vendimtar. Pas kohëve të bllokadave, përçarjeve dhe improvizimeve, vendi ynë ka nevojë për kthjelltësi, për përvojë, për seriozitet dhe për një vizion të qartë euroatlantik. Ka nevojë për qeveri që punon, jo që improvizon; që bashkon, jo që ndan; që ndërton, jo që shemb.
LDK-ja, shtëpia jonë politike e vlerave dhe e stabilitetit, vjen në këto zgjedhje me një ofertë shtetformuese, me programin të plotë zhvillimor, me njerëzit më të përgatitur për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për ta dërguar drejt një dekade të re zhvillimi.
Unë sot dua t’i falënderoj publikisht koleget dhe kolegët e mi në Kryesi për besimin e tyre të plotë. Faleminderit për bashkëpunimin, për unitetin dhe për vendosmërinë që na ka sjellë deri këtu; të fortë, të bashkuar e të gatshëm.
Dhe sot dua t’u drejtohem të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim partie, bindjeje apo zhgënjimi:
Nëse besoni në një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar, më europiane; nëse besoni se ky vend meriton qeveri që respekton ligjin dhe institucionet;
Nëse besoni se e ardhmja e fëmijëve tanë duhet ndërtuar mbi punë, dije dhe vlera – atëherë ju ftoj të bashkohemi.
Të bashkohemi për Kosovën.
Të bashkohemi për një qeveri serioze.
Të bashkohemi për t’i dhënë fund aventurës politike dhe për ta kthyer vendin në rrugën e sigurt të zhvillimit.
28 dhjetori është dita kur e nisim rrugën e re.
Dhe unë, me përulësi dhe vendosmëri, jam gati.



