Abdixhiku: Pengmarrja e kryeqytetit është akti më i rëndë i Albin Kurtit dhe pushtetit të tij

24 nëntor 2025 | 12:14

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për protestën e sotme të transportuesve privatë dhe atyre të ndërmarrjes së “Trafikut Urban”.

Ai ka shkruar në “Facebook” se kur bllokada 10 mujore e shtetit mori fund, ata vendosën të bllokojnë Prishtinën. “Sepse nuk dinë më shumë. Kjo është mendja e tyre. Jetojnë për bllokadë, punojnë për bllokadë, ushqehen me bllokadë! Dhe ja ku jemi sot, pa transport publik në Kryeqytet; me punëtorë pa paga e në protestë; me qytetarët në pritje nëpër stacione; dhe me një pushtet arrogant që në vend të arsyes vazhdon të ushtrojë hakmarrje politike ndaj Prishtinës duke akuzuar secilin tjetër. Dhe ky është vetëm fillimi. Bllokada e Prishtinës rrezikon tutje shkolla, qendra mjekësore, shërbime bazike për njerëzit e këtij vendi”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se popullistët nuk duan ta kuptojnë se kur bllokojnë buxhetin e kryeqytetit, nuk e bllokojnë LDK-në.

“E bllokojnë jetën e qytetarëve të vet. E bllokojnë mësimin e fëmijëve, punën e prindërve, ekonominë e Prishtinës; kryeqendrën e vet shtetit. Dhe kur këta fshihen pas justifikimeve burokratike, atëherë secili e ka të qartë se problemi nuk është më tek procedura, por tek vullneti politik që këta nuk e kanë. Pra nuk është te ligji, por te mllefi. Nuk është te mirëkuptimi, por te arroganca. Prishtina nuk i kërkon paratë e Qeverisë, prandaj nuk i duhet asnjë votim në Kuvend. Prishtina i kërkon paratë e veta; plot 35 milion euro taksa komunale e grant, që i janë plaçkitur nga bllokuesit për hakmarrje të pastër politike. Prishtina nuk i kërkon as paratë e vitit 2026, por të këtij viti që ka tashmë buxhet; jemi ende në vitin 2025. Arsyetimet për mungesë të votave në Parlament janë vetëm ushqime për militantë. Fundja, me cilin votim në Kuvend, i ndanë këta nga 100 euro për studentë dy ditë para zgjedhjeve? Si është e mundur që për blerje votash e dhënie vitrash nuk paska nevojë për votime nga ne; por ja që për paratë e Prishtinës, ato që i mbledhë Kryeqyteti vet, paska tani një procedurë që po varej nga ne?!”, ka shkruar ai, duke shtuar se Prishtina ka folur një herë. Do të flasë sërish.

“Por deri atëherë – le ta dijë secili – se pengmarrja e kryeqytetit është akti më i rëndë i Albin Kurtit dhe pushtetit të tij që ka humbur kontaktin me qytetin, me realitetin dhe me detyrimin e tij më bazik: t’i shërbejë njerëzve, jo t’i ndëshkojë ata. Prishtina nuk mbahet peng. As sot, as nesër. Këto janë lëvizjet e fundit të një pushteti në rënie”, ka shkruar Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pyetur lidhur me situatën…