Abdixhiku për vendimin e Kushtetueses: Një fitore e madhe e demokracisë!

08 gusht 2025 | 13:43

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku vendosur se kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur.

Ai ka thënë se ky vendim është fitore e madhe për Kosovën dhe demokracinë.

“Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë – para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Një fitore e madhe e demokracisë!

Një fitore e madhe Republikës!

Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë të plotë kërkesave tona dhe lëndës së hartuar nga LDK.

Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë – para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Votimi i fshehtë nuk pranohet.

Jo kushtetues i konstatuar! Urdhëroheni të mundësoni demokracinë në Republikën e lirë të Kosovës.

Ky është verdikti sot.

Ky ishte qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga dita e parë e deri më sot.

Fatkeqësisht, Kosova humbi kohë. Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë – gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje.

Dritë, megjithatë do të ketë.

Sepse ky vend ka mjaft patriotë që e ruajnë atë; dhe atë në mënyrën e vet. Dhe sado i vështirë e i mundimshëm të duket ky mision, është jetike të mos bëhemi si ta. Ne, duhet të luftojmë për të vërtetën – duke qenë vetja! Sepse popullistët nuk fitojnë kur janë shumë, por kur ne të tjerët bëhemi si ata. Atëherë vdes rezistenca demokratike, përmbyset rendi kushtetues, dhe Republika e Kosovës kthehet në një projekt të dështuar – që duket se ka qenë gjithmonë misioni i tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), ka reaguar pas…