Abdixhiku: Përkujtimi për Shaban Manajn do të mbetet i gjallë

23 korrik 2025 | 15:40

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në “Këndin e Kujtesës” e ka vendosur edhe fotografinë e Shaban Manajt.

“Shaban Manaj në ‘Panteonin e Kujtesës’ së LDK-së. Sot, në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në praninë e familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të afërt, vendosëm fotografinë e Shaban Manajt në ‘Këndin e Kujtesës’, aty ku prehen figurat më të ndritura të historisë sonë politike. Shabani qëndron në krah me Enverin, Xhemën, Ismetin e Nekibën, si shenjë e një kujtese historike”, ka shkruar ai Abdixhiku në “Facebook”

Ai ka thënë se në 25-vjetorin e vrasjes së Shaban Manajt, përkujtimi për të mbetet i gjallë.

“Në 25-vjetorin e vrasjes së tij, përkujtimi për Shabanin mbetet i gjallë. Ai ishte avokat i shquar, veprimtar i palodhur dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Rugova. Me guxim, urtësi e përkushtim, Shaban Manaj la gjurmë të thella në rrugëtimin tonë për liri dhe ndërtim të shtetit”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se duhet të zbardhen të gjitha vrasjet politike pas luftës.

“Familjarët ende kërkojnë drejtësi. Shoqëria jonë ka detyrim të përhershëm – zbardhjen e këtij krimi dhe të gjitha vrasjeve politike pas luftës. Zonjës Fatmushe, Fortesës, Shkodranit e Shkëmbit u themi të qëndrojnë të fortë edhe një çerek shekulli pas. Lavdi jetës dhe veprës së Shaban Manajt! Lavdi të gjithë veprimtarëve të lirisë!”, ka shkruar kryetari i LDK-së.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Sigal Prishtina ka bërë edhe përforcimin e parë të…