Abdixhiku premton mbështetje për çiftet e reja
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka premtuar mbështetje për banesën e parë për çiftet e reja.
Ai ka thënë se pa familje të forta nuk ka shtet të fortë, Prandaj, sipas tij, LDK-ja e sheh shtetin si shërbim dhe jo si plaçkë.
“Programi ynë nuk është listë premtimesh. Është kontratë me qytetarin. Kontrata e Jetës me Shtetin. Nga lindja, rritja, arsimi, puna, deri te dinjiteti në jetë. Ne propozojmë Ministrinë e Familjes, sepse besojmë se shteti duhet të jetë krah familjes që nga dita e parë. Çdo fëmijë i porsalindur do të mbështetet me 200 euro në muaj për një vit të plotë. Jo si lëmoshë, por si investim publik. Çiftet e reja do të mbështeten për banesën e parë. Sepse pa familje të forta, nuk ka shtet të fortë”, ka thënë Abdixhiku.
I pari i LDK-së ka shtuar se nuk ka Kosovë të individëve e partive, por ka një Kosovë të të gjithëve.
“Atë që e quajmë atdhe, shtet e Republikë”, ka përfunduar Abdixhiku.



