Abdixhiku: Presidenti duhet të jetë figurë konsensuale, jo kandidat me librezë partiake
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka folur lidhur me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që Glauk Konjufca të jetë kandidat për president të vendit.
Abdixhiku ka thënë se procesi për zgjedhjen e presidentit nuk ka qenë i dakorduar në këtë formë dhe se LDK-ja ka kërkuar një kandidat konsensual, e jo një figurë partiake.
“Ky nuk është proces me të cilin jemi marrë vesh. Kemi thënë që nuk duhet të ketë imponime dhe nuk duhet të ketë kandidatë me librezë partiake. Është thënë që duhet të ketë kandidat konsensual, por kjo nuk duket si konsensus. Gara nuk jep zgjidhje, por vetëm zgjedhje. Presidenti nuk është çështje e një gare partiake dhe as çështje e 61 votave, por e unitetit nacional brenda Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku në një përgjigje “Klan Kosovën”.
Sa i përket mundësisë së mbajtjes së seancës për zgjedhjen e presidentit sot, Abdixhiku tha se LDK-ja nuk ka marrë asnjë ftesë.
“Ne nuk kemi marrë ftesë për seancë dhe përderisa nuk kemi marrë ftesë, nuk mund të supozojmë nëse do të ketë apo jo një të tillë”, ka thënë Abdixhiku.



