Abdixhiku pret në takim ambasadorin e Shqipërisë, flasin për bashkëpunimin mes dy vendeve

05 qershor 2025 | 17:46

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore të LDK-së ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë mos-konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qëndrimet e LDK-së lidhur me këtë situatë.

Në këtë kontekst, kryetari Abdixhiku ritheksoi propozimin e LDK-së për themelimin e një Qeverie të Unitetit, si një zgjidhje e përkohshme, por e domosdoshme për tejkalimin e ngërçit aktual politik dhe rikthimin e funksionalitetit të institucioneve të vendit.

Ai nënvizoi se bllokada politike dhe institucionale është e papranueshme, ndërsa dështimi për të 27-tën herë me radhë për krijimin e shumicës parlamentare dëshmon paaftësinë e partisë fituese për të siguruar stabilitet qeverisës.

U tha se kjo situatë përbën një rrezik serioz për mirëqenien e qytetarëve dhe për ecurinë normale të proceseve shtetërore.

Kryetari Abdixhiku dhe ambasadori Malaj ndanë qëndrimin e përbashkët për domosdoshmërinë e thellimit të marrëdhënieve vëllazërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, si një shtyllë themelore për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përparimin e përbashkët të dy vendeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar për ndërtimin e urave të bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe a i Kinës, Xi…