
Abdixhiku prezanton Përparim Ramën: Me zemër të hapur e duar të pastra për Prishtinën që duam
Lidhja Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht bëri rikandidimin e Përparim Ramës për kryetar të Prishtinës. Ngjarja u mbajt në zemër të parkut të Gërmisë dhe u vlerësua si një demonstrim i qartë i përkrahjes qytetare dhe bilancit pozitiv të qeverisjes lokale.
Në fjalimin e tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh se katër vite më parë, Rama dhe ekipi i tij hynë në garë si të panjohur, ndërsa sot kthehen me vepra konkrete, me vizion të qartë dhe me duar të pastra.
“Ndryshimi nuk është më shpresë – është realitet. Është përparimi që e shohim në projekte të mëdha infrastrukturore që nuk bllokohen dot; në shkolla me mësim tërëditor për fëmijët e Prishtinës – tashmë model për çdo qytet tjetër dhe në rajon; në planifikim urban me sheshe dhe shëtitore që i japin shpirt dhe identitet Prishtinës,” deklaroi Abdixhiku para të pranishmëve.
Ai theksoi se Prishtina e udhëhequr nga Përparim Rama ka nisur një transformim të thellë, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në mënyrën se si funksionon shërbimi publik dhe si krijohet ndjenja e qytetit për qytetarin.
“Sonte, në këtë atmosferë të jashtëzakonshme, shënuam nisjen e një rrugëtimi të ri për Prishtinën. Me mikun, urbanistin dhe kryetarin tonë të punës – ne e nisëm dhe do ta çojmë përpara këtë vizion,” shtoi ai.
Në fund të fjalës së tij, Abdixhiku falënderoi të gjithë për përkrahjen dhe theksoi vendosmërinë e LDK-së për të çuar përpara projektin e “Prishtinës që duam” – një projekt që, sipas tij, i përket të gjithë qytetarëve.
“Le të fitojmë – për Prishtinën, për të ardhmen, për të gjithë ne,” përfundoi ai.