Abdixhiku propozon Jehona Lushaku-Sadriun shefe të Grupit Parlamentar të LDK-së
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka propozuar Jehona Lushaku-Sadriun për kryetare të Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Njoftimi i plotë i Abdixhikut:
“Kam propozuar profesoreshën Jehona Lushaku-Sadriun për kryetare të Grupit Parlamentar të LDK-së në legjislaturën e dhjetë.
Jehona është një deputete me integritet, me përgatitje akademike dhe përvojë politike, por mbi të gjitha një bashkëpunëtore e afërt, e ndershme dhe e përkushtuar ndaj demokracisë parlamentare, shtetit ligjor dhe orientimit euroatlantik të Kosovës – vlera që janë themel i LDK-së.
Jam i bindur se në këtë përgjegjësi të re do ta udhëheqë Grupin Parlamentar me përkushtim, korrektësi politike dhe respekt për njerëzit me të cilët punon. Mbi të gjitha, do ta përfaqësojë Lidhjen Demokratike të Kosovës me dinjitet dhe do ta bëjë krenar çdo mbështetës tonin, si dhe qytetarët e Kosovës, për përfaqësimin parlamentar të LDK-së.
Të priftë e mbara, Jehona!”



