
Abdixhiku publikon agjendën 15-pikëshe të qeverisë së unitetit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në një konferencë për medie ka bërë me dije planin e punës për Qeverinë e Unitetit që LDK-ja e sheh si zgjidhje për krizën aktuale politike.
Abdixhiku ka thënë se kjo s’është zgjidhja më e mirë e mundshme, por një kontratë e nderit mes forcave politike për ta nxjerrë vendin nga kriza.
Agjenda 15-pikëshe:
1. Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese. Qeveria e unitetit do të merret me departizimin e institucioneve. Pjesë do të jetë edhe riformatimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike. Besojmë se pa interferime partiake u japim frymë ndërmarrjeve.
2. Dakordimi i plotë për rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjit.
3. Pakoja emergjente për menaxhimin e krizës energjetike dhe heqja e TVSh-s për çdo faturë të energjisë elektrike. Zgjidhje do t’i jepej edhe krizës së tanishme.
4. Nisja e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës. Qeveria e unitetit s’mund të bëjë gjithë gazifikimin, por do të nis projektin dhe të dakordohemi që projekti të vazhdojë pas zgjedhjeve të reja të pranverës së 2026.
5. Rindërtimi i raportit me BE-në dhe ShBA-në. Kthimi i besimit politik përmes një qasje të përgjegjshme shtetërore është prioritet i Qeverisë së Unitetit. Do të përgatisim platformë unike nga të gjitha partitë për Dialogun me Serbinë. Ristrukturim i plotë i shërbimit diplomatik që është në kolaps të plotë pas 4 viteve të qeverisjes.
6. Brenda një shumice të tillë do t’i votonim marrëveshjet ndërkombëtare.
7. Vettingu në sistemin e drejtësisë.
8 . Fillimi i projekteve me rëndësi jetike për Kosovën.
9. Do të flasim për reformën kushtetuese në funksion të stabilitetit. Do të trajtonim edhe këtë praktikë që po kalojmë, se a do të duhet të kemi ndryshime kushtetuese. Pra të bëjmë një reset kushtetues.
10. Hartimi i strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim.
11. Përgatitja për lojërat mesdhetare që po vijnë, e që janë në rrezik.
12. Reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.
13. Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave.
14. Përgatitja për zgjedhje brenda 10 muajve.
15. Mekanizmi i transparencës për periudhën kalimtare. Do të themelonim një mekanizëm monitorues mbi zbatimin e kësaj formule.