
Abdixhiku pyetet se a do t’ia mundësojnë Osmanit të bëhet presidente
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas marrjes së udhëheqjes së partisë, është pyetur nëse deputetët e kësaj partie do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente të vendit.
Abdixhiku ka premtuar se LDK-ja do të jetë konstruktive, ndërsa ka theksuar se “Kryesia e re e merr vendimin” për këtë çështje.
“Ne do të jemi konstruktiv me të gjitha partitë shqiptare, jo vetëm në Kosovë por edhe rajon”,
“Meqenëse dje janë certifikuar rezultatet dhe sot është zgjedhur kryetari i partisë, ju lus për mirëkuptim, që t’i themelojmë organet e reja, të zhvillojmë konsulta fillimisht të brendshme sepse vendimet tona do të jenë kolektive dhe jo individuale, gjithmonë duke respektuar frymën e kontruktivitetit në skenën tonë politike dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim duke marrë parasysh edhe respektin e ndërsjellë që partitë tjera do ta tregojnë për LDK-në”, ka thënë Abdixhiku.
Duke komentuar deklaratat e përfaqësuesit special të SHBA-së për Ballkanin, Matthew Palmer se partitë opozitare duhet të qëndrojnë në sallë kur të votohet presidenti, Abdixhiku ka ripërsëritur se do të sillen në mënyrë kontruktive.
“Edhe unë po them që do të sillemi në mënyrë konstruktive. Qëllimi është që të jemi kontruktivë”, ka thënë Abdixhiku.