
Abdixhiku: Qeveria Kurti me startin më të dobët, po merret me të kaluarën
Kryetrari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se Qeveria Kurti e ka pasur fillimin më të dobët, në histori të ndonjë qeverisje.
Ai ka thënë se qeveria që drejtohet nga Albin Kurti është duke u sjellë në mënyrë arrogante.
Po ashtu, Abdixhiku ka thënë se qeveria nuk ka pozicion për dialogun, teksa ka shtuar se kryeministrit Albin Kurti ia ka dorëzuar një dokument për parimet mbi të cilat duhet të sillet Kosova.
Lideri i LDK-së, ka bërë me dije se në kjo parti nuk do të marrë pjesë në dialog.
“Baza negociuese të mos jete diskutimi për Kosovën. Kosova të respektojë statusin juridik të Gjykatës Ndërkombëtar të Drejtësisë. Karakteri unitar te mos rëndohet. Dokumentin nuk e kemi dorëzuar që te bëhemi pjesë e dialogut. LDK-ja nuk merr pjesë në dialog, kemi dorëzuar një dokument se nuk po dinë çfarë të bëjnë. Nuk janë temë akuzat e paraardhësve. Duhen negociata të thella dhe të vështira. Qeveria duhet të raportojë para dhe pas kthimit nga negociatat. Nuk po themi jo negociata, vetëvendosje – por shkoni mbrojeni Kosovën. Qeveri totalisht e papërgatitur në dialog, pretekst për t’iu shmangur dialogut. Nëse ky është qëllimi duhet ta thotë”, ka thënë Abdixhiku gjatë një debati të organizuar nga Lëvizja “Fol”.
Më tutje, ai ka thënë se Vetëvendosje është duke qeverisur me arrogancë dhe duke u marrë me të kaluarën.
“Kjo qeveri ka pasur startin më të dobët që ka pasur vendi ndonjëherë, në kuptim të mungesës së sjelljes, ka arrogancë, por edhe të marrjes me të kaluarën. Kemi një qeveri të dobët, kemi parë punën e disave që kanë qenë drejtorë në komunën e Prishtinës, nuk kanë pas rezultate”, ka thënë Abdixhiku, duke kritikuar Qeverinë Kurti edhe në raport me rimëkëmbjen ekonomike.
“Program joserioz që nuk prodhon asgjë, përjashtim nuk përbën as politika e jashtme, duket qeveri e praktikantëve. Duhet rikuperim ekonomik pas pandemisë, në program nuk ka asnjë spital që do të ndërtohet katër vitet e ardhshme. Qeveri qe merret vetëm me të kaluarën”, ka thënë Abdixhiku.