
Abdixhiku: Shtrenjtimi i energjisë elektrike, i papërballueshëm
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se refuzimi i temës për shtrenjtimin e rrymës nga ana e Qeverisë, tregon një frikë të pashpjegueshme të pushtetit për t’u përballur me të vërtetën.
Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare, ku po debatohet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, Abdixhiku ka deklaruar se kjo shpërfaq një lloj hipokrizie politike në kuvend. “Kemi mbledhur 40 nënshkrime sepse ndaj besimin se shtrenjtimi i energjisë elektrike në formatin që është bërë është i papërballueshëm, i pa drejtë dhe diskriminues e dënues ndaj një grupi të caktuar shoqëror”, ka thënë ai.
Sipas tij, Qeveri ka vepruar me vonës të madhe ndaj krizës energjetike.
“Institucionet e Kosovës, Qeveria në vazhdimësi e kishin mohuar se në Kosovë kishte krizë. Reagimi i vonshëm është rezultat i paaftësisë që ka sjell fillimisht reduktime dhe më pas rritje enorme të çmimeve. Tani mohimi i krizës natyrisht se shkakton dëm, dhe dëmi për kosovarët do të arrijë nga 150 milionë në 200, varësisht se sa i ftohtë është ky dimër. Një pjesë e kësaj shume paguhet nga buxheti, pjesa tjetër nga konsumi familjar. Në të dyja rastet, janë qytetarët që e paguajnë këtë shumë. Kriza globale domosdo ka shkaktuar nevojën e subvencionimeve, por çështja që duhet ngritur është shumë e thjesht, e para sikur të reagonit me kohë, a do të ishte kjo shumë më e vogël se është sot, kush duhet të paguajnë përgjegjësi për milionat e djegura dhe e dyta, tani që dëmi enorm është bërë, si duhet ta paguajmë dhe a mund ta paguajnë qytetarët tanë këtë dëm”, ka deklaruar Abdixhiku.