Abdixhiku takohet me ambasadorin francez, bisedojnë për krizën politike në Kosovë

30 maj 2025 | 15:49

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Kryetari Abdixhiku dhe ambasadori Gurrot, kanë diskutuar rreth zhvillimeve politike në vend, krizën institucionale dhe për qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës karshi kësaj situate.

Gjatë takimit, Abdixhiku ka ritheksuar propozimin e LDK-së për themelimin e një qeverie të unitetit. Ai edhe njëherë ka thënë se një qeveri e tillë përbën një zgjidhje të përkohshme, por të domosdoshme për të tejkaluar ngërçin politik dhe për të rikthyer funksionalitetin e institucioneve demokratike në vend.

Abdixhiku ka thënë se bllokada politike dhe institucionale është e papranueshme, dështimi për të 23-tën herë radhazi është rezultat i paaftësisë së partisë fituese për të krijuar shumicë parlamentare funksionale dhe se ky bllokim përbën një rrezik serioz për mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin institucional të vendit dhe rrjedhën normale të proceseve shtetërore.

Më tutje, Abdixhiku e ka falënderuar ambasadorin Guerot për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës gjatë të gjitha proceseve të rëndësishme shtetformuese dhe demokratizuese, ndërsa ka vlerësuar se bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës është i domosdoshëm, jo vetëm për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, por edhe për avancimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe për stabilitetin afatgjatë në rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi së…