Abdixhiku thotë se 1 miliard euro kemi ble rrymë për pesë vjet, tregon se çfarë do të mund të bënte Kosova me ato para

25 dhjetor 2025 | 23:52

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Kosova gjatë pesë viteve të fundit ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për blerjen e rrymës.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Abdixhiku ka kritikuar qeverinë aktuale duke thënë se për shkak të këtyre shpenzimeve janë ndalur projekte të rëndësishme kapitale.

“Këta njerëz e kanë ndalur unazën e kryeqytetit të Prishtinës, ka qenë investim prej 250 milionë eurosh. Çka s’është ndalur këtu në Kosovë? Kosova për pesë vjet ka blerë rrymë në vlerë prej 1 miliard eurosh. Veç sivjet kemi 250 milionë kemi blerë rrymë, qe ku janë paratë,” ka deklaruar ai.

Ai tha se me 250 milionë eurot e shpenzuara vetëm këtë vit, do të ishte përfunduar unaza e kryeqytetit.

“Me 250 milionë euro vetëm të sivjetshit do të ishte paguar unaza e kryeqytetit. Me 250 milionë ishte paguar gjysma e spitalit të ri të Kosovës, investimi më i madh në shëndetësi që nga viti 1964” tha ai.

Sipas Abdixhikut, me këto mjete do të ishte mundësuar edhe realizimi i projektit të mësimit tërëditor në shkolla.

“Me 250 milionë euro do të ishte kryer mësimi tërëditor; fëmijët do të kishin ngrënë ushqim të ngrohtë dhe do të qëndronin tetë orë në shkollë,” shtoi ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes kanë pritur disa mërgimtarë militantë…