
Abdixhiku thotë se LDK-ja është krenare për kontributin në procesin e vendimit të GjND-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo parti, është krenare me kontributin në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila 15 vjet më parë kishte vulosur pavarësinë e Kosovës.
“Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ky konstatim historik ishte rezultat i një pune të përkushtuar të njerëzve më profesionistë dhe përkrahjes së pakusht të aleatëve tanë ndërkombëtarë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet demokratike të Bashkimit Evropian. Ky vendim nuk ishte vetëm një fitore ligjore, por një vulë legjitimiteti ndërkombëtar për shtetësinë e Kosovës, për të drejtën tonë historike dhe politike për të qenë të lirë dhe të pavarur. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet krenare për rolin e saj të pazëvendësueshëm në të gjithë këtë proces, në rrugën e shtetformimit dhe të afirmimit ndërkombëtar të Kosovës. Sot, 15 vjet më pas, përkujtojmë me respekt të gjithë ata që kontribuan në këtë të arritur madhore dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për një Kosovë demokratike dhe të barabartë mes kombeve të lira”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.