
Abdixhiku thotë se LV-ja po e përmbys rendin kushtetues me vetëdije dhe qëllim
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot ishte hera e 41-të me radhë, që partia e parë nuk arrin të ushtrojë përgjegjësinë kushtetuese që ka; atë të krijimit të shumicës.
Ai ka shkruar në “Facebook” se derisa partia e parë ka kapur një ulëse, ajo s’mund të kapë Kuvendin.
“Kjo pengesë parlamentare tashmë është dhe jokushtetuese. Është përmbysje e rendit kushtetues me vetëdije e qëllim. Pra është dhe vepër penale për të cilën do të ketë përgjegjësi një ditë. Dhe derisa partia e parë ka kapur një ulëse, ajo s’mund të kapë Kuvendin. Le të vijnë e ikin”, ka shkruar Abdixhiku, duke theksuar se deputetët e partisë së tij qëndruan sot në sallën e Kuvendit, ku deputetja Bajrami mbajti edhe fjalim.
“Sot, qëndruam në sallë. Deputetja Bajrami mbajti dhe fjalë. Kjo fjalë s’mund t’i ndalej siç ju ndal deputetit Zogaj. Le të jetë një fillim i diskutimeve parlamentare pas uzurpimit antikushtetues që po i bën Kuvendit partia e parë. Ata le të ikin, ne le të flasim. Sot, ishte hera e 41-të me radhë, që partia e parë nuk arrinë të ushtrojë përgjegjësinë kushtetuese që ka; atë të krijimit të shumicës. Sot, sërish, partia e parë vendosi me plot arrogancë të injorojë rendin e ditës. Atë rend dite që e kishim dakorduar paraprakisht të gjithë ne bashkë; në takimin e parë institucional. E kishim dakorduar ne, të gjitha partitë politike, në takimin me z. Konjufca – kryetarin paraprak të legjislaturës paraprake. Rendi i ditës u ndryshua; kokë në veti pas shtatë seancave. Askush nuk e ka këtë të drejtë; aq më pak një ‘më i moshuar’ mes 120 deputetëve të zgjedhur në vend. Kjo pengesë parlamentare tashmë është dhe jokushtetuese. Është përmbysje e rendit kushtetues me vetëdije e qëllim. Pra është dhe vepër penale për të cilën do të ketë përgjegjësi një ditë. Dhe derisa partia e parë ka kapur një ulëse, ajo s’mund të kapë Kuvendin. Le të vijnë e ikin. Ne le të flasim. Para shumicës qytetare në vend. T’i shtrojmë të gjitha çështjet që pas perdeve të krizave po marrin peng të ardhmen e vendit”, ka thënë Abdixhiku.