Abdixhiku uron Krishtlindjen: Le të jetë një thirrje e re për më shumë mirësi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes.
Përmes një njoftimi të partisë në “Facebook”, është thënë se Abdixhiku ka kujtuar se sa shumë vlerë ka që në këtë ditë të jemi pranë njëri-tjetrit, të falim, të ndajmë dhe të sakrifikojmë për të mirën e përbashkët.
“Të gjithë besimtarët e krishterë, shënojnë e festojnë Krishtlindjen. Lindjen e shpresës, e dritës që mposht errësirën, e besimit se dashuria dhe mëshira janë gjithmonë më të forta se çdo vështirësi. Kjo ditë na kujton se sa shumë vlerë ka të jemi pranë njëri-tjetrit, të falim, të ndajmë dhe të sakrifikojmë për të mirën e përbashkët. Na kujton se paqja fillon në familje, vazhdon mes fqinjësh dhe forcohet në shoqëri. Kosova dhe shqiptarët e saj kanë qenë gjithmonë shembull i harmonisë fetare. Kjo vlerë e shenjtë e jona na ka mbajtur bashkë në ditë të vështira dhe na ka bërë më të fortë si shoqëri. Krishtlindja e sivjetme le të jetë një thirrje e re për më shumë mirësi, më shumë respekt dhe më shumë solidaritet mes nesh”, citohet të këtë thënë Abdixhiku.
Ndër tjerash është thënë se i pari i LDK-së, ka uruar nga zemra që kjo festë të ju gjejë sa më pranë familjeve me shëndet e shpresë për të ardhmen.
“Uroj nga zemra që kjo festë t’ju gjejë pranë familjeve tuaja, me shëndet, paqe dhe plotë shpresë për të ardhmen. Që dhurata më e madhe të jetë buzëqeshja e atyre që doni dhe koha e çmuar e kaluar bashkë. Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për shumë mote, me paqe e mirësi – Gëzuar Krishtlindjen!”, ka njoftuar LDK-ja.



