Abdixhiku: Zgjedhjet nuk i do askush, do të provojmë të gjejmë zgjidhje
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur para mediave pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti.
Abdixhiku ka thënë se nuk ka ndonjë zhvillim të ri.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi afatin e ri për presidentin, zhvillova takimin e radhës me Albin Kurtin. Diskutuam për afatin kohor, kemi më pak se 3 javë ditë kohë për të gjetur konsensus dhe për të arritur marrëveshje. Të kemi dakordancë, konfidencialiteti mes palëve. Zgjedhjet nuk i do askush, as LDK-ja. Nuk kemi ndonjë lëvizje të re, rrethanë të re nga ky takim. Jemi transparent, takimet do të vazhdojnë edhe ditët në vijim. Unë do të takojë edhe liderët e tjerë politik të PDK-së, e AAK-së, për të kuptuar pozicionet e tyre, e më pas me takime të tjera transparente por edhe konfidenciale, të gjejmë ndonjë zgjidhje”, ka thënë Abdixhiku.
Në këtë kontekst, Abdixhiku ka thënë se po provojnë të gjejnë zgjidhje, duke paralajmëruar takime të tjera.
“Çdo marrëveshje që siguron kuorumin për presidentin, është e mirëseardhur, duhet diskutime me të gjitha partitë. Po provojmë të gjejmë zgjidhje të përbashkët konsensuale. Me takime. Kjo është rruga përpara. Do të ndjekim këtë rrugë, për të shmangur zgjedhjet. Njëherë duhet të merremi rreth parimeve të procesit, a duhet të kemi një situatë të gjitha pozicionet institucionale me një parti politike, e më pas nëse jo si do të duket marrëveshja. Natyrisht që kam në mendje, por nuk e kam për publikun”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, LDK-ja nuk jep mbështetje që të gjitha pozitat në shtet, të jenë për një parti.
“Po përpiqemi të bëjmë zgjidhje, do të përpiqemi të takohemi sërish. Edhe mosveprimi për institucione shkakton zgjedhje. Bëmë përpjekje të gjejmë zgjidhje, brenda përpjekjeve diskutuam për natyrën, modalitetet. Nuk kemi emra konkret, nuk kemi arritur në atë fazë. Në proces janë dy emra të LV-së, dhe LDK ka qëndrim që jo të gjitha pozitat shtetërore i takojnë një partie publike”, ka thënë ai.



