Abdixhiku: Zgjidhje dhamë, tash LDK-ja do të merret me zgjedhjet lokale

08 maj 2025 | 11:16

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku pas zhvillimeve të fundit në nivelin qendror ka deklaruar se partia të cilën e drejton do të merret me zgjedhjet lokale.

“Kohë për të humbur më nuk kemi. Zgjidhje dhamë; zgjidhja jonë aty mbetet – kurdo që janë të gatshëm të tjerët. Deri atëherë, përtej gjithë bllokadës që na shërbehet pa vizion, përtej mbledhive repetitive 48 orëshe pa ndonjë qëllim, LDK-ja do të merret me proceset e veta përpara, aty ku s’mund të na kurthojnë. Do të merret me zgjedhjet lokale. Prandaj, sot kam thirrur në takim të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, për të nisur procesin konsultativ e përgatitor mbi zgjedhjet lokale 2025 që do të mbahen këtë vjeshtë”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Në këtë kontekst,  Abdixhiku ka thënë se në zgjedhjet lokale janë duke hyrë me plotë vullnet.

“Si fituese e zgjedhjeve të fundit lokale, me 9 komuna në qeverisje dhe me 206 këshilltarë lokal, po himë në këtë proces me plot vullnet e me plot bindje. Po himë dhe me plot përgatitje. Plot 6 muaj kohë. Prandaj, nga sot nisim konsultimet e brendshme për kandidatët për Kryetarë të Komunave e për këshilltarë lokal. Për nominimin e njerëzve me integritet e vullnet për të shërbyer në secilin qytet. Të gjithë ata që duan të përfaqësojnë vizionin tonë politik, vlerat tona, programet tona; të gjithë ata që duan t’i përfaqësojnë qytetarët tanë – i ftoj të bëhen pjesë e këtij procesi”, ka shkruar Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kritikuar ashpër kryesuesin…