
Abrashi i LV-së: Nuk tërhiqemi nga votimi i fshehtë
Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka thënë se “nuk tërhiqen” nga votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit “deri të merr epilog”.
“Si procedurë votimi i fshehtë është një nga format e shprehjes së vullnetit në mënyrë të lirë dhe pa pasur presion të një deputeti në marrjen e vendimeve të caktuara në seancën konstituive. Kjo formë e votimit erdhi në shprehje pas bllokadës së shkaktuar nga opozita për ta zgjedhur kryetaren e Kuvendit. Ne mendojmë se kjo formë e votimit duhet të marrë një epilog. Deputetët duhet të japin një mendim se a dëshirojnë ta themelojnë këtë komision apo ta rrëzojnë. Opozita e ka për obligim të marrë pjesë në votim”.
“Këto akuza nuk kanë kurrfarë baze sepse votimi i fshehtë është paraparë me dispozitat e Gjykatës Kushtetuese. Aktgjykimi i fundit nuk e hedhi poshtë këtë formë të votimit. Opozita po thirren në disa argumente të cilat nuk mendoj se qëndrojnë. E para ka të bëjë me pretendimin se ka ndryshuar rendi i ditës, nuk ka ndryshim të vendit të ditës në seancën konstituive. Votimi i fshehtë njësoj sikurse votimi i hapur përbënë vetëm një formë tjetër të realizimit të së njëjtës pikë, pra të pikës tre për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë ai për “RTV21”.