
Abrashi: LV-ja po pret vendimin e Kushtetueses
19 qershor 2025
| 10:58
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka folur pas dështimit të radhës për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se procesi zgjedhor është demokratik dhe se refuzimi i rezultateve nga opozita, sipas tij, po e mban peng krijimin e institucioneve.
Abrashi theksoi se mazhoranca është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që pritet të sqarojë procedurën e votimit në Kuvend.
“Ne jemi në proces të pritjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili do ta sqarojë procedurën e votimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo çështje është iniciuar në këtë institucion dhe na mbetet neve të presim atë vendim, në mungesë të reflektimit të deputetëve të opozitës”, ka deklaruar Abrashi.