Abuzimi në çmime nga barnatoret për remdesivir, Autoriteti i Konkurrencës fillon hetimin

20 nëntor 2020 | 22:59

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurencës, Valon Prestreshi, ka njoftuar se ky institucion ka filluar hetimet kundër kompanive që kanë keqpërdoruar çmimin e barit remdesivir, i cili po shihet si medikament për trajtimin e Covid-19.

Prestreshi ka bërë me dije se për ndriçimin e rastit, do t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm. Ai një gjë të tillë e ka deklaruar përmes ‘Facebook’-ut të tij.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka filluar hetimin preliminar për barin remdezivir pasi që është raportuar në media, se kompanitë të cilat kanë afaruar me këtë produkt kanë abuzuar me poziten e tyre dominuese, duke vendosur çmime të tepruara (excessive pricing)”, ka deklaruar ai.

Gazeta Express, ditë më parë ka pyetur në barnatoret e kryeqytetit rreth çmimit të këtij ilaçi.

Në katër barnatore të ndryshme në kryeqytet u dhanë çmime të ndryshme për këtë produkt.

“Kemi, ky lloj është nga India. Kushton 200 euro. Kemi edhe të Turqisë”, thotë një shitës në njërën nga barnatoret e kryeqytetit.

Një tjetër tregon se me këtë ilaç furnizohen nga shteti turk.

“Veç nga Turqia i marrim. Janë të shtrenjta valla. Edhe qytetarëve po i themi që të vijnë veç me recetë të mjekut. Se shumë shtrenjtë janë”, thotë një tjetër shitës i njërës nga barnatoret e Prishtinës.

Ilaçi i quajtur, Remdesivir, që besohet se zvogëlon kohën e shërimit të pacientëve nga koronavirusi, është miratuar për përdorim nga Sistemi Kombëtar i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ushtare e gardës Kombëtare të SHBA-së vrau veten në…