Adem Demaçi, ky Promethe i shqiptarisë    

26 korrik 2023 | 13:38

Nëse për të pavdekshmin  Adem Demaçi do të kërkonim një metaforë të denjë nga letërsia botërore, atëherë vetëm te  Prometheu antik i Hesiodit dhe sidomos tek ai i Eskilit do të gjenim paraardhësin e tij paradimatik që e shpreh më së miri thelbin e këtij njeriu të jashtëzakontë. Asnjë figurë tjetër nga mitologjia greke nuk i shkon kaq shumë realitetit jetësor të këtij shqiptari të madh me emrin Adem Demaçi, i cili pikërisht në ditën e sotme, me 26 korrik të vitit  2018,  d. m. th. pesë vite më parë, ndërroi jetë. Shqipja ndoshta enkas për njerëz të tillë ka krijuar lokucionin foljor „ndërroi jetë“, sepse për këtë lloj të veçantë të gjinisë njerëzore kurrë nuk mund të përdoret fjala vdekje në momentin kur shuhet kandili i jetës së tyre. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për zhdukje, por për shndërrim, metamorfozë.

Energjia e dritës ndërron formë, por edhe më tej mbetet dritë. Nuk mund të vdes diçka që në thelbin e saj është e pashkatërrueshme, përjetshme, në çdo kuptim kundër vdekjes, kundër harrimit. E tillë ishte vepra e Adem Demaçit, vepër e jetës dhe e guximit, e vetmohimit dialektik.  Ai e nisi karrierën e tij si shkrimtar me talent të madh dhe e përfundoi si një çlirimtar autentik në momentin kur iku prej nesh, e nisi luftën në një vend të pushtuar e të shtypur dhe, në fund, jetoi një dhjetëvjeçar të plotë në shtetin e pavarur të Kosovës. Kosova dhe viset e tjera shqiptare në fillimet e jetës së tij i takonte jo vetëm një shteti tjetër si territor i pushtuar, por edhe një zone tjetër qytetërimore, zonës së errët të mungesës së lirisë. Kosova e fitoi lirinë dhe kështu u zhvendos në një zonë tjetër, në atë të dritës. “Prometheu i lidhur“ u kthye në „Prometheun e lirë“.

Në historinë botërore të letërsisë është ruajtur teksti i plotë i tragjedisë së  parë të Eskilit, por jo edhe „Prometheu i lirë“.  Adem Demaçi, rreth 2500 vjet më vonë, e mishëronte si figurë  reale Prometheun e  lirë. Në fakt, ai kurrë nuk u mposht, edhe atëherë kur ishte Promethe i lidhur nëpër kazamatet serbe. Në Burgun e Pozeravac-it, qysh në vitet 1970 Adem Demaçi i tha të burgosurit tjetër politik Selatin Novosella se ai në mendje e kishte edhe kohën pas burgut, jetonte për atë kohë. Promethe etimologjikisht shpjegohet si parashikim mendor, parathenie.

Adem Demaçi e kuptoi qysh në fillim se populli shqiptar, pjesë e të cilit ishte edhe ai vetë, mbi gjithçka tjetër e çmonte lirinë dhe dinjitetin njerëzor, ndaj Adem Demaçi rrezikoi gjithçka për këtë synim fisnik të popullit të tij, edhe karrierën e tij si shkrimtar. Ai u vu në ballë  të popullit të tij, në udhën e gjatë e të vështirë të lirisë. Idetë e mëdha fisnike e çuan Adem Demaçin në këtë rrugë  vuajtjeshumë, kurse  përvoja e tij jetësore e bëri atë absolutisht të vendosur për të vazhduar këtë udhë të ndjekur para tij prej shumë brezave shqiptarë pavarësisht çmimit të lartë. UÇK-ja ndoshta u vonua si formacion ushtarak, por kur doli në skenë nuk erdhi  si zhvillim i paparashikueshëm në  jetën tonë publike. Në atë mjedis ku paraqiten njerëz të guximshëm e kryengritës si Adem Demaçi, lindja e një mekanizmi të luftës së armatosur, pa marrë para sysh se çfarë  emri  do të mbajë ai, është i pashmangshëm, i domosdoshëm.

Me fjalë të tjera, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk e gjeti  te Adem Demaçi rastësisht mbështetësin e saj e palëkundshëm publik. Demaçi po e kërkonte prej kohësh këtë ushtri, si i verbëri sytë. Folja „po e kërkonte“ ka në semantikën e saj edhe konotavionin e krijimit, sepse në terrin ku ndodhej populli shqiptar në këtë kohë ka të ngjarë që shumë individë të shquar të ecnin në errësirë duke prekur, sepse me sy nuk shihej pothuajse asgjë inkurajuese. Ka situata jetësore për bashkësitë e mëdha kur inteligjenca pa guximin  më shumë ngatërron se e shpëton një popull. Prometheu shqiptar Adem Demaçi ishte pranë zjarrit dhe atë po e sillte te populli, atje poshtë ku shtypja dhe terrori ishte bërë i padurueshëm, atje ku ndoshta mungonin fjalët për trajtesa diskursive, por nuk mungonin kurrë impulset për vepra të mëdha të promovimit të lirisë. Dhe vërtet ashtu ndodhi në vitin 1996, u dëgjuan krismat e revoltës, të rralla në fillim, aty-këtu, por me kalimin e kohës gjithnjë e më të shpeshta, derisa një ditë, në vitin 1998, u kthyen në kryengritje mbarëpopullore.

Jeta e Demaçit ka brenda vetes kryengritjen e guximshme të viteve 1950, burgjet e njëpasnjëshme deri me 21 prill 1990, rezistencën paqësore të Vetmohimit në vitet  e para 1990, rezistencën  e armatosur ndaj dhunës shtetërore serbe të gjysmës së dytë të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit XX bashkë me luftën çlirimtare të kësaj periudhe të UÇK-së dhe mbështetjes së saj nga NATO-ja në ajër dhe në tokë pas 12 qershorit të 1999-s dhe 19 vjet pas marshimit të ushtrive perëndimore në Kosovë, 17 shkurtin e vitit 2008 dhe një dekadë të plotë të shtetit të pavarur të Kosovës. Të gjitha këto i përjetoi Adem Demaçi deri me 26 korrik 2018 kur iku në botën e përjetshme të kujtesës shqiptare. Shumë gjëra  mund të harrohen në rrjedhën e kohës, por kurrë fakti se ekzistoi një njeri si Adem Demaçi. Sa më shumë kalon koha aq më e madhe na del përpara syve të mendjes dhe të zemrës figura e tij.

Në vitet 1950 në qiellin e letërsisë shqiptare në Kosovë shfaqet një yll vezullues, shkrimtar i ri me talent të madh. Romani i tij „Gjarpijtë e gjakut“ botohet në Prishtinë si romani i parë në gjuhën shqipe. Për shqiptarët në Jugosllavi po fillonte një epokë e re, ajo e kryengritjes përmes librit. Një regjim që sundonte përmes frikës dhe budallallepsjes së shqiptarëve një goditje rrënuese. Adem Demaçi ishte një shkrimtar ndryshe, i guximshëm dhe absolutisht i pakorruptueshëm.  Korrupsioni i mendjes dhe zemrës së njeriut përbën formën më të rrezikshme të korrupsionit. Ai po ia rikthente sferën publike popullit të tij përmes kundërshtimit publik të politikës jugosllave kundër shqiptarëve. Po e vriste frikën.  Në këtë kohë mbylleshin shkollat shqipe, vazhdonte dëbimi i maskuar i shqiptarëve si shpërngulje në Turqi dhe kishte pasur tashmë një Aksion të Armëve tmerrësidht brutal. Shkrimtari i ri Adem Demaçi  kërkonte mobilizimin e shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë kundër politikës kundërshqiptare të Beogradit. Gjërat e mëdha nuk duhet të ndodhnin në heshtje, politika e përllogaritur kundërshqiptare e Beogradit duhej të kundërshtohej haptazi, publikisht. Ndryshe shqiptarët do të zhbëheshin si faktor.

Popujt nënshtrohen me anë të frikës dhe të mbajtjes në padituri. Një popull të frikësuar dhe të paditur çdo pushtues e  sundon dhe e asimilon më lehtë. Synimi i përhershëm i Serbisë ka qenë spastrimi etnik i Kosovës, sepse ajo nuk mund ta konsideronte Kosovën si pjesë të territorit të saj shtetëror për aq kohë sa shqiptarët në të të përbënin elementin mbizotërues. Që në vitet 1920 filloi fushata e ndryshimit të emërvendeve dhe e kolonizimit me elementin serb dhe malazez të hapësirës shqiptare, qyteteve dhe katundeve të ndryshme iu vunë emra serbë, kurse të gjitha tokat publike u përdorën si hapësirë vendbanimi për ardhacakët sllavë. Në strategjinë shtetërore të thyerjes së kompaktësisë shqiptare hynte edhe uzurpimi i tokave dhe pasurisë së patundshme shqiptare, kështu që kolonistët jo rrallë ua rrëmbyen tokat shqiptarëve.  Shqiptarët përditë viheshin përballë këtyre   padrejtësive dhe ata reagonin në mënyrë fulminante. Konsekuencat ishin brutale. Shteti ishte i vendosur për ta realizuar politikën e shpërbërjes së bllokut shqiptar. Megjithëkëtë ngulm politik Jugosllavia e  kralit serb nuk i arriti objektivat e saj mes dy luftërave botërore. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e pengoi realizimin e Marrëveshjes jugosllavo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve. Shteti komunist i Titos bëri gjithçka që ta zgjidh çështjen shqiptare përmes pushtimit të butë të Shqipërisë, ndërsa pas vitit 1948 iu rikthye  traditës kundërshqiptare të paraardhësve, edhepse frazeologjia e vëllazërim bashkimit komunist sugjeronte diçka tjetër.

Megjithatë njerëzit shihnin ç’ndodhte, kështu që pak vëmendje i kushtonin asaj që thuhej. Adem Demaçi ishte dëshmitar i zhvillimeve politike që cënonin popullin e tij në substancë, prandaj ai nuk pranoi të heshtë, përkundrazi kudo që ishte fliste kundër pushtetit jugosllav që në hapësirën shqiptare perceptohej vetëm si mekanizëm i dhunës dhe represionit. Dhuna ekscesive  e shtetit si mjet frikësues kishte filluar që në ditën e parë që hynë në Kosovë brigadat partizane. Ata që deri dje i kishin luftuar shqiptarët si çetnikë kishin ndërruar uniformë dhe e vazhdonin krimin shtetëror ndaj shqiptarëve me partizanët, me të cilët pa dyshim kishin diferenca në ideolgjinë politike, por pothuajse asnjë diferencë thelbësore përsa i përket shtypjes dhe zhbërjes së faktorit shqiptar. Mijëra shqiptarë u vranë kudo që hynë partizanët serbë, partizanët shqiptarë ishin dërguar në viset e tjera jugosllave, kështu që Kosova kishte mbetur e pambrojtur, në duart e partizanëve serbë. Sigurisht kishte pasur edhe shqiptarë të tillë si Shaban Polluzha e partizanët e tij që nuk pranuan të shkonin në Srem, por luftuan në Kosovë, kryesisht në Drenicë kundër pushtuesve të rinj. Kujton Kryengritjen e Drenicës të vitit 1945.

Pjesë e spektrit të dhunës ndaj shqiptarëve shqiptarëve në vitet 1950 ishte edhe mbyllja e  shkollave në gjuhën e tyre. Kështu Beogradi donte që shqiptarët të mos mund t‘i mbronin interesat e tyre. Një ditë këtyre njerëzve të paaftë do t‘u shkruhej historia siç donin ideatorët kundërshqiptarë në Serbi, një ëndërr serbe kjo që s‘u realizua kurrë.  Me shtetin e pavarur të Kosovës çdo përpjekje serbe për një histori tjetër ka marrë fund. Pikërisht për këtë gjë jetoi e luftoi deri në fund të jetës Adem Demaçi.

Imer Xhemail Lladrovci

Autori është ish diplomat dhe shef i Konsullatës së Kosovës në Stuttgart

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Falë mbështetjes së palodhshme të shumë njerëzve dhe mediave, ky…