Adem Grabovci për Sahit Jasharin: Një jetë e tërë në shërbim të lirisë së Kosovës
Ish-anëtari i shtabit të përgjithshëm të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), Adem Grabovci, ka reaguar me një mesazh ngushëllimi pas vdekjes së komandantit Sahit Jashari, duke e cilësuar atë si një figurë të përkushtuar të luftës për lirinë e Kosovës.
Grabovci ka shkruar në “Facebook” se Sahit Jashari “iu bashkua nënës Salë, babait Hamit, bashkëluftëtarëve dhe mikut të tij të përjetshëm, Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe të gjithë heronjve e dëshmorëve që shkruan historinë e lirisë së Kosovës me gjakun e tyre”.
Ai ka thënë se ndarja nga jeta e Sahit Jasharit lë pas dhimbje të madhe, por edhe krenari të thellë për rrugëtimin e tij.
“Boshllëku që lë pas është i rëndë, por emri, vepra dhe sakrifica jote do të jetojnë përherë në kujtesën e kombit”, ka shkruar Grabovci.
Sipas Grabovcit, Jashari ka jetuar me nder dhe ka shërbyer me përkushtim deri në fund të jetës së tij, në shërbim të lirisë dhe atdheut.
“Do të të kujtojmë përherë me respekt, krenari dhe mirënjohje, mik e bashkëluftëtar. Qoftë i përjetshëm kujtimi yt!”, ka shkruar ai.
Në fund të mesazhit, ai ka nderuar të gjithë dëshmorët e kombit, duke thënë: “Lavdi jetës dhe veprës sate, Sahit Jashari! Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe heronjve të kombit!”.



