Adem Grabovci viziton krerët e UÇK-së: Kur të largohen retë e zeza, dielli do të lindë përsëri
Ish-deputeti Adem Grabovci ka vizituar në Hagë ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale.
Pas vizitës, Grabovci ka shpërndarë një mesazh emocional, duke theksuar se për herë të parë pas muajsh të gjatë ka ndjerë shpresë dhe dritë për familjet, shokët dhe vendin.
“Sot, si asnjëherë më parë, për gjithë këto muaj të gjata e të mundimshme për familjet, shokët e mbi të gjitha vendin, pashë dritën nga rrezet e diellit të shumëpritur, që po rilind në pranverën e pafajësisë dhe drejtësisë së vonuar ndërkombëtare,” ka shkruar Grabovci.
Ai ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë, vazhdojnë të qëndrojnë stoikë dhe të palëkundur, ashtu si gjatë luftës dhe periudhës së paqes, duke u përballur me atë që e quan “re e zezë” mbi historinë e Kosovës.
“Çlirimtarët tanë, që padrejtësisht mbahen në Hagë, mbetën stoikë, të fortë dhe vizionarë, të gatshëm për sakrifica për interes të vendit, me plot shëndet e shumë optimizëm,” ka shtuar ai.
Në fund të mesazhit të tij, Grabovci ka shprehur shpresën dhe bindjen se kjo do të jetë vizita e fundit në Hagë dhe se drejtësia do të vihet në vend.
“Kur retë e zeza të largohen dhe drejtësia të zërë vend, dielli do të lindë përsëri,” ka përfunduar Grabovci.
Adem Grabovci ka vizituar ish-bashkëluftëtarët e tij, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.



