
Adem Hoxha: Mbështetja jonë për qeverinë e Kurtit, ende në pikëpyetje
Deputeti i zgjedhur i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, ka thënë të martën se partia e tij ka ende dyshime se a ta mbështesë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re.
“Mua nuk me pengon Kurti dhe askush. Por, e kam vendosur pikëpyetjen [për mbështetjen], marrë parasysh përvojën që e kemi pasur me kryeministrin Kurti në katër vjetët e kaluara”, theksoi Hoxha për Radion Evropa e Lirë.
Hoxha nuk shpjegoi cila ka qenë përvoja e tyre me Kurtin gjatë mandatit të tij të kaluar katërvjeçar dhe as cilat do të ishin kushtet e tij për t’ia dhënë votën Kurtit për mandatin e tretë.
Hoxha ishte në mesin e zyrtarëve të partive nga pakicat joserbe që Kurti i takoi më 3 prill për të biseduar për formimin e qeverisë së re të vendit.
Ai shtoi se në përbërjen e re të Kuvendit, deputetët nga pakicat joserbe po përpiqen ta krijojnë një grup të përbashkët parlamentar, pjesë e të cilit do të jetë edhe ai.
Në rast se nuk arrihet marrëveshje për krijimin e një grupi të përbashkët, ai tha se mund t’i bashkohet grupit parlamentar të cilësdo parti, shqiptare apo joshqiptare.
Hoxha – i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe – e mohoi se ka pasur ndonjë lloj trysnie nga “Serbia apo kushdo qoftë”, pasi Këshilli i Sigurisë së Kosovës tha ditë më parë se Serbia po tentonte ta sabotonte “themelimin e institucioneve të reja” dhe legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Nuk më ka thirrur askush nga Serbia, nuk kam marrë asnjë kërcënim, shantazh apo sugjerim”, nënvizoi Hoxha për REL-in.