ADEM JASHARI KISHTE BASHKËLUFTËTARË EDHE NË VISE TË TJERA SHQIPTARE

24 janar 2026 | 11:11

– Në mbështetje të Komandantit Legjendar Adem Jashari, pas sulmit të dytë të forcave okupatore serbe në shtëpinë e tij, 28 vite më parë

Enver J. Hoti

Me marrjen e informatës për sulmin e forcave serbe ndaj familjes Jashari më 22.01.1998, ku në këtë rast mbetën të plagosura vajzat Iliriana dhe Selvete Jashari, njësiti i UÇK-së që vepronte në Malishevë me rrethinë ngriti gatishmërinë luftarake në nivelin maksimal, në përputhje me mjetet dhe rrethanat e kohës.

Njësiti i UÇK-së, i koduar me shifrën operative 7100, ndërmori masa për t’iu kundërvënë forcave serbe, me qëllim që sulmi i dytë ndaj familjes Jashari të mos mbetej i izoluar, por të shoqërohej me veprime të armatosura edhe në lokalitete të tjera, për të shpërqendruar okupatorin dhe për të dobësuar forcën e tij vepruese.

Më 22.01.1998, forcat e UÇK-së u pozicionuan përgjatë rrugës magjistrale Malishevë–Rahovec, në dalje të Malishevës, në një pozicion të përshtatshëm dhe larg vendbanimeve civile. Qëllimi ishte goditja e njësive policore apo ushtarake serbe që pritej të vinin nga Rahoveci për të maltretuar civilët në Malishevë, siç vepronin vazhdimisht, apo për të shkuar si përforcim i njësive të tyre në Prekaz.

Për dy ditë me radhë qëndrimi në pozicione vazhdoi, por nuk pati lëvizje të policisë apo ushtrisë serbe në këtë aks rrugor.

Më 24.01.1998, në mesditë, në Malishevë mbërriti patrulla e parë e milicisë serbe. Në atë kohë kishte lëvizje të mëdha të popullatës civile. Milicët serbë kontaktuan me disa nga bashkëpunëtorët e tyre, me gjasë për t’u informuar mbi gjendjen në terren.

Me qëllim të ruajtjes së jetës dhe pasurisë së popullatës civile, u vendos që sulmi të realizohej në mënyrë të tillë që të mos rrezikoheshin civilët. Për këtë arsye, u prit deri në orët e mbrëmjes, kur qytetarët u larguan nga qyteza. Meqenëse milicia serbe nuk kishte stacionim të përhershëm në Malishevë, u vendos që sulmi të kryhej gjatë tentimit të tyre për t’u kthyer drejt Rahovecit.

Gjithçka shkoi sipas planit. Me rënien e muzgun, teksa milicët po përgatiteshin për t’u larguar, ushtarët e UÇK-së i sulmuan nga afërsia sapo dolën në rrugë nga objekti që e shfrytëzonin si stacion të përkohshëm. Si rezultat, dy milicë serbë u plagosën rëndë dhe një tjetër më lehtë.

Pas këtij sulmi, në Malishevë mbërriti një numër i madh i milicëve nga bazat e tyre, me gjasë të vendosur më herët në gatishmëri. Ata erdhën me automjete të blinduara dhe me personel të konsiderueshëm për t’i tërhequr të plagosurit.

Nga radhët e UÇK-së nuk pati viktima apo të lënduar.

Plagosja e milicëve serbë, e sidomos plagosja e Bozhidar Demjanoviqit, i cili kishte krijuar një rrjet bashkëpunëtorësh që maltretonin dhe plaçkisnin popullatën e kësaj treve, ishte një mesazh i qartë se gjërat në Kosovë kishin filluar të ndryshonin. Kjo dëshmoi se Drenica dhe Adem Jashari nuk do të mbeteshin të vetëm, por se lufta për çlirim do të përhapej në tërë Kosovën.

Fitorja e lirisë nuk ishte më çështje dyshimi, por vetëm çështje kohe deri në çlirimin përfundimtar të vendit.

Respekt dhe lavdi për të gjithë dëshmorët, invalidët dhe veteranët e UÇK-së, për familjarët e tyre dhe për gjithë popullatën që ishte mbështetëse e luftës për çlirim!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Demokratik për Integrim ka vendosur që mos ata votojë…