Ademi: Kosova po ndërton themele të forta për të ardhmen e futbollit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka njoftuar se me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ka marrë pjesë në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026, Meksikë-Afrika e Jugut dhe më vonë do të jetë pjesë e Samitit të FIFA-s që do të mbahet në Majami.
Ademi ka thënë se vizita ka edhe simbolikë të veçantë për futbollin kosovar, pasi vjen në një qytet ku, sipas tij, “para dhjetë vjetësh Kosova u pranua në familjen botërore të futbollit”.
Nga Meksika, presidenti i FFK-së ka përgëzuar edhe përfaqësuesen e femrave për kualifikimin në “play-off”-in e Botërorit 2027, duke e cilësuar atë si “një sukses që na bën krenarë të gjithëve”. “Besoj fuqishëm se me punën, përkushtimin dhe talentin që kanë djemtë dhe vajzat tona, edhe Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e ngjarjeve të tilla madhore të futbollit botëror”, ka thënë Ademi.
Ai ka vlerësuar gjithashtu strategjinë zhvillimore të FFK-së, duke theksuar se projektet në futbollin e femrave dhe në zhvillimin e talenteve të rinj “po japin rezultatet e para konkrete”.
Sipas Ademit, Akademia e FIFA-s në Prishtinë, e para e këtij lloji në Ballkan, po kontribuon në formimin profesional të talenteve kosovare nën drejtimin e ekspertëve të FIFA-s dhe stafit teknik vendor.
“Jam shumë i lumtur që strategjia dhe projektet zhvillimore të FFK-së po implementohen me sukses dhe tashmë po japin rezultatet e para konkrete si në futbollin e femrave, edhe në zhvillimin e talenteve të rinj. Akademia e FIFA-s në Prishtinë, e para e këtij lloji në Ballkan, po jep frytet e saj, ku talentet tona po marrin formimin më të mirë profesional nën udhëheqjen e ekspertit të FIFA-s dhe stafit tonë teknik. Kjo është dëshmi se investimi në të rinjtë dhe puna e vazhdueshme po ndërtojnë themele të forta për të ardhmen e futbollit të Kosovës.”, ka thënë Ademi.



