
Ademi: Kosovën e shoh të kualifikuar në Euro 2028; Kjo fanellë ka barrën e gjakut dhe sakrificës
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur me emocione të thella në episodin e parë të FFK Podcast, duke treguar vizionin e tij për të ardhmen e futbollit kosovar, pritjet ndaj Kombëtares dhe mesazhin që qëndron pas fanellës “dardane”.
I pyetur se si e sheh Kosovën në kualifikimet aktuale për Kampionatin Botëror dhe në projektet afatgjata, Ademi u shpreh se objektivi realist është kualifikimi në Euro 2028, ndonëse fitorja ndaj Suedisë ka rritur ambiciet e tifozëve.
“Tani sigurisht që po, s’ka presion. Ky është realiteti siç e shoh unë. Ka ekspertë që e kanë parë Kosovën që duhej të ishte në Evropian qysh në herën e parë ose në kualifikimet për Botërorin Rusia 2018. Kjo është mirë sepse tregon se sa emocion ka krijuar Kosova dhe Kombëtarja jonë. Është një lidhje emocionale, dashuria është aq e madhe dhe duan ta shohin të parën. Dashnia e madhe i sjell edhe zhgënjim, por kjo është bukuria e futbollit”, u shpreh Ademi.
Ai tha se kualifikimi i Kosovës në një kampionat të madh është çështje kohe dhe se aspirata e tij kryesore është Euro 2028:
“Po, e mendoj që 2028 Kosovën e gjen të kualifikuar. Nuk është premtim, por është mendim dhe aspiratë. Sepse në futboll nuk i dihet kurrë, sidomos në rezultate”, tha ai.
Ademi foli edhe për domethënien e fanellës së Kombëtares së Kosovës, duke i dhënë një dimension historik e atdhetar.
“Fanella e Kosovës, çdo vijë dhe çdo katror që ka, ka brenda një të zhdukur, një të vrarë, një dëshmor dhe një viktimë. Është fanellë e shndërruar nga uniforma e UÇK-së në uniformë të lirisë. Kjo e bën popullin krenar. Prandaj, duhet pasur shumë kujdes kur kritikohet kjo fanellë, sepse është më shumë se futboll”, shtoi ai.
Në fund, presidenti i FFK-së tha se karrierën e tij e sheh të lidhur vetëm me futbollin dhe se synimi i tij është të lërë pas një trashëgimi të fortë:
“Jam aktivist prej ditëve të para, nga ilegalja e deri në luftë. Asnjëherë se kam potencuar këtë, por jam përkushtuar për futboll. Karriera ime mbaron këtu. Dua të lë një ekip fantastik, me bagazh, me dije brenda e rreth Federatës. Një Kombëtare prestigjioze që do të ketë emër në Evropë. Kjo është dëshira ime më e madhe dhe besoj që është dëshira e secilit”, nënvizoi ai.