Ademi në përvjetorin e UEFA tregon punën e deritanishme të Kosovës në futboll

03 maj 2026 | 13:07

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka vlerësuar 10-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA si një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit dhe të futbollit kosovar.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Ademi ka theksuar se muaji maj shënon një jubile të dyfishtë historik, duke kujtuar pranimin e Kosovës në UEFA më 3 maj 2016 në Kongresin e Budapestit, si dhe anëtarësimin në FIFA më 13 maj të po atij viti në Meksikë.

Sipas tij, këto dy data shënuan fundin e një periudhe izolimi dhe hapjen e një kapitulli të ri për futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare.

“Ky jubile përbën gur-themelin e historisë moderne të futbollit tonë dhe një kapitull të rëndësishëm në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës”, ka shkruar Ademi.

Ai ka nënvizuar progresin e madh të arritur gjatë kësaj dekade, duke përmendur ngritjen e Kosovës nga pozita e 190-të në renditjen e FIFA-s në vendin e 78-të aktualisht, si dëshmi e zhvillimit të shpejtë dhe potencialit të futbollit vendor.

Ademi ka rikujtuar edhe sukseset sportive të Kombëtares, përfshirë ngjitjen në Ligën B të UEFA Nations League dhe paraqitjet në kualifikimet për Botërorin 2026, ku Kosova siguroi “play-off”-in në një grup të fortë.

Ai ka përmendur gjithashtu ndeshjet konkurruese ndaj Zvicrës, Suedisë e Sllovenisë, si dhe fitoren ndaj Sllovakisë në gjysmëfinale.

“Edhe pse finalja ndaj Turqisë nuk përfundoi sipas dëshirës sonë, rrugëtimi ynë na jep besim se kualifikimi në Euro 2028 është një objektiv i arritshëm”, ka shkruar ai.

Kreu i FFK-së ka theksuar se progresi nuk është kufizuar vetëm te Kombëtarja A, por përfshin edhe ekipet zinxhir, futsallin dhe futbollin e femrave, si dhe sukseset e klubeve kosovare, veçanërisht Ballkanit dhe Dritës në garat evropiane.

Në planin infrastrukturor, Ademi ka veçuar investimet e realizuara përmes programeve “UEFA HatTrick” dhe “FIFA Forward”, duke përmendur ndërtimin e selisë së re të FFK-së, përmirësimin e stadiumit “Fadil Vokrri”, si dhe zhvillimin e Kampit Nacional në Hajvali dhe projekteve të tjera në mbarë vendin.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena…