Ademi pas rizgjedhjes president i FFK-së: Vazhdojmë bashkë, me futbollin për Kosovën!
Presidenti i rizgjedhur i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka falënderuar delegatët e Kuvendit të FFK-së për besimin e dhënë për drejtimin e kësaj federate në katër vitet e ardhshme.
Ai ka thënë se besimi i delegatëve tregon mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të futbollit.
“Jam i lumtur që Kuvendi i FFK-së edhe kësaj radhe ishte i unifikuar dhe të gjitha vendimet po i marrim bashkë, për të mirën e futbollit të Kosovës. Uniteti dhe besimi juaj janë forcë për të ecur përpara”, ka shkruar Ademi në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Vazhdojmë bashkë, me futbollin për Kosovën!
Të nderuar delegatë të Kuvendit të FFK-së, faleminderit për besimin tuaj dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të futbollit.
Vota e sotme është besim për mua dhe për ekipin tim, por mbi të gjitha është vlerësim për punën e bërë bashkërisht dhe përkrahje për rrugëtimin që na pret.
Pozita e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës pa dyshim është përgjegjësi e madhe, të cilën do të vazhdoj ta ushtroj me përkushtim maksimal, gjithmonë në shërbim të futbollit dhe të komunitetit sportiv.
Arritjet e deritashme nuk janë individuale, por rezultat i punës së përbashkët me stafin tim dhe administratën e FFK-së, por dhe me gjithë komunitetin e futbollit, të cilët i falënderoj sinqerisht për profesionalizmin dhe angazhimin e vazhdueshëm.
FFK është një organizatë joqeveritare, por me një rol të veçantë për faktin se përfaqëson shtetin në arenën ndërkombëtare. Kjo na obligon që të jemi transparentë, të përgjegjshëm dhe të përkushtuar.
Jam i lumtur që Kuvendi i FFK-së edhe kësaj radhe ishte i unifikuar dhe të gjitha vendimet po i marrim bashkë, për të mirën e futbollit të Kosovës.
Uniteti dhe besimi juaj janë forcë për të ecur përpara.
Le ta vazhdojmë këtë rrugë me vizion, stabilitet dhe ambicie për suksese të reja.
Uroj ta shohim futbollin e Kosovës gjithnjë e më lart!
Ju faleminderit, e na priftë e mbara!
#MeFutbollinPërKosovën



