
Ademi: Po ndërtojmë fusha në çdo cep të Kosovës, cilësia është e garantuar nga FIFA dhe UEFA
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë për RTV21 ka folur për zhvillimin e infrastrukturës futbollistike në vend, duke e cilësuar këtë si një prej elementeve më të rëndësishme të progresit gjatë nëntë viteve të fundit prej pranimit në UEFA dhe FIFA.
“Është formati i terreneve ndihmës dhe ne po e vazhdojmë këtë format. Pra, në programin tonë kemi çdo 45 ditë nga një fushë stërvitore. Këtë po e bëjmë në çdo cep të Kosovës dhe e kemi realizuar përmes memorandumesh me komunat,” ka theksuar Ademi.
Sipas tij, prioritet po u jepet zonave ku është aktiviteti më i madh futbollistik. “Kemi thënë dhe vazhdojmë ta realizojmë se aty ku një klub ose një shkollë futbolli mbledh më shumë se 50 fëmijë, ne do t’ju dërgojmë një fushë stërvitore – dhe kjo po ndodh.”
Ademi ka folur edhe për cilësinë e fushave të ndërtuara, duke u përgjigjur ndaj kritikave për barin artificial. Ai ka theksuar se materialet janë të standardeve më të larta ndërkombëtare.
“Jemi duke bërë fusha stërvitore me një bari artificial shumë profesional. Kam dëgjuar duke u folur kinse për cilësinë jo të mirë të barit. Kjo nuk është e vërtetë. Këto fusha janë me licencë të FIFA-s dhe është me përbërje nga materiali i standardizuar. Pra, është FIFA dhe UEFA PRO dhe është i garantuar,” ka sqaruar ai.
Megjithatë, Ademi ka theksuar se si çdo fushë tjetër, edhe këto kërkojnë mirëmbajtje. “Sigurisht që duhet të mirëmbahen, ashtu siç duhet të mirëmbahet edhe një fushë me bari natyral,” ka përfunduar presidenti i FFK-së.