Presidenti Agim Ademi, priti sot në takim presidentin e Federatës së Futbollit të Polonisë, Cezary Kulesza, i cili ishte në shoqëri të sekretarit të përgjithshëm të kësaj federate, Łukasz Wachowski.
Gjatë takimit, palët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit mes dy federatave dhe për ndarjen e përvojave të vlefshme në zhvillimin e futbollit, veçanërisht në nivelin e grupmoshave të reja.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte përvoja e Polonisë në zhvillimin e gjyqtarëve të futbollit, një segment i avancuar në këtë vend dhe me ndikim të madh edhe në nivel ndërkombëtar. Suksesi i gjyqtarëve polakë u vlerësua nga kreu i FFK-së si një model i rëndësishëm, që mund të shërbejë si frymëzim për gjyqtarët kosovarë në ngritjen e mëtejme të nivelit të tyre.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua për realizimin e projekteve të përbashkëta, të cilat do të fokusohen në zhvillimin e futbollit dhe mbështetjen e brezave të rinj.
Pas takimit, presidenti i Federatës së Futbollit të Polonisë, Cezary Kulesza, shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në FFK dhe për mikpritjen e ngrohtë.
“Biseduam për futbollin dhe po kthehem nga këtu shumë i lumtur. Federata e Futbollit e Kosovës dhe presidenti juaj mund të llogarisin gjithmonë në mua. Kishim një takim shumë domethënës. Jemi dëshmitarë që ekipi kombëtar i Kosovës ka futbollistë shumë të mirë dhe të talentuar, të cilët luajnë në klube evropiane, në Gjermani, Itali etj. Koha do ta dëshmojë që Kombëtarja e Kosovës do të bëhet më e mirë çdo ditë dhe do të jetë një nga konkurrentët më të fortë në Evropë”, tha Kulesza.