
Ademi takohet me Fatlind Ramën, president i klubit zviceran të futbollit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka pritur në takim presidentin e klubit Vevey-Sports, Fatlind Rama.
Ademi ka bërë me dije se gjatë takimit ka theksuar se FFK është e hapur për çdo bashkëpunim që kontribuon në rritjen dhe afirmimin e futbollit të Kosovës.
“Sot prita në takim 29-vjeçarin Fatlind Rama, president i Vevey-Sports, i cili ka nisur një epokë të re në këtë skuadër zvicerane. Fatlindi, i cili ka marrë drejtimin e këtij klubi që nga shtatori, po sjell energji dhe vizion të ri në menaxhimin e Vevey-Sports. Ky zhvillim është një mundësi e madhe jo vetëm për klubin, por edhe për futbollistët nga Kosova, të cilët përmes këtij klubi mund të promovohen dhe të gjejnë hapësirë në tregun zviceran të futbollit”.
“Gjatë takimit theksova se FFK është e hapur për çdo bashkëpunim që kontribuon në rritjen dhe afirmimin e futbollit tonë. Jemi tejet krenarë për diasporën tonë, e cila po dëshmon çdo ditë se është e integruar dhe e pranishme në vende meritore, duke përfaqësuar siç është më së miri popullin dhe vendin tonë”, ka shkruar Ademi në “Facebook”.