Ademi takohet me Konjufcën, merr mbështetje për rrugëtimin e Kosovës drejt Kupës së Botës
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë ka vizituar zëvendëskryeministrin dhe kryediplomatin Glauk Konjufca.
Ademi ka bërë me dije se me Konjufcën kanë biseduar për përgatitjet që është duke i bërë Kombëtarja e Kosovës për ndeshjen kundër Sllovakisë në kuadër të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026.
Ademi ka thënë se kanë marrë mbështetje nga Konjufca, duke shtuar se institucionet shtetërore do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta mbështetur Kosovën në këtë rrugëtim historik.
“Sot, së bashku me anëtarin e KE të FFK-së, Samir Ujkani dhe menaxherin e ekipit kombëtar, Bajram Shala, zhvilluam një vizitë pune te zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Gjatë takimit e informuam zëvendëskryeministrin për përgatitjet rreth ndeshjes së rëndësishme kundër Sllovakisë, në kuadër të ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026, si dhe për organizimin e udhëtimit të ekipit tonë drejt Bratisllavës. Ai na përgëzoi për rezultatet e arritura deri më tani, duke theksuar se puna ekipore dhe angazhimi i përbashkët kanë sjellë fitore të rëndësishme dhe e kanë përfaqësuar denjësisht vendin tonë në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu vuri në pah se institucionet shtetërore do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta mbështetur Kosovën në këtë rrugëtim historik. E falënderuam zëvendëskryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj ekipit tonë kombëtar në rrugëtimin tonë drejt realizimit të synimeve tona”, ka shkruar Ademi në “Facebook”.



