Ademi thyen heshtjen për përjashtimin e tre futbollistëve: Ishte trajneri që vendosi
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka thënë se vendimi për përjashtimin e tre futbollistëve nga kampi i kombëtares të shtunën është marrë nga selektori Franco Foda.
Ademi ka deklaruar sot për televizionin Top-Channel se vendimi i trajnerit për përjashtimin e Edon Zhegrovës, Arijanet Muriqit dhe Florent Muslijës, është mbështetur edhe nga federata.
“Pikë së pari duhet të respektohet rregullorja e cila u është komunikuar lojtarëve. Është shumë e rëndësishme për ekipin që ajo të respektohet. Përjashtimi i tyre ka qenë vendimi i trajnerit, pasi ata kanë dalë nga grumbullimi në orët e vona të natës”, ka thënë Ademi.
“Sigurisht që ne kemi mbështetur mendimin e trajnerit, sepse kjo është dhe rregullorja”. Ademi ka insistuar se “kombëtarja është e të gjithëve dhe shkon përtej Federatës”. “Nuk më intereson për ata njerëz që nuk kanë lidhje me këtë punë dhe bëjnë kritika, por vetëm për ata që kanë qenë të përfshirë dhe kanë bërë ankesa”, tha Ademi.