
Ademi uron kampionatin e ri: Qoftë një edicion i suksesshëm, futbolli luhet për tifozët
Kjo fundjavë shënon nisjen e edicionit të ri të garave të futbollit në Kosovë, ndërsa presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka uruar klubet, futbollistët, tifozët dhe të gjithë të përfshirët për një kampionat sa më të mbarë.
Përmes një postimi në Facebook, Ademi theksoi se FFK-ja ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për një edicion të rregullt, me lojë të ndershme dhe transparencë të plotë.
“Nga ky edicion fillojmë me zbatimin e plotë të platformës dixhitale ‘My FFK’, përmes të cilës të gjitha të dhënat nga ndeshjet e futbollit do të jenë të qasshme jo vetëm për klubet dhe zyrtarët e ndeshjeve, por edhe për opinionin e gjerë. Me këtë sistem e rrisim tutje nivelin e organizimit dhe transparencën në të gjitha ndeshjet që zhvillohen nën ombrellën e Federatës”, ka shkruar Ademi.
Kreu i FFK-së i ka vënë theksin e veçantë edhe rolit të tifozëve, duke i cilësuar ata si “lojtarin e 12-të” që i japin ngjyrat e spektaklit futbollit.
“Synim i përbashkët i këtij edicioni duhet të jetë rritja e shikueshmërisë. Futbolli luhet për tifozët. Ata i japin atij ngjyrat e spektaklit. Kur zëri i tyre jehonë në stadiume, ndeshjet janë më madhështore, motivi i futbollistëve maksimal dhe loja në fushën e gjelbër në një nivel tjetër”, ka shkruar presidenti i FFK-së.
Ademi ka paralajmëruar një edicion të fortë jo vetëm në Albi Mall Superligë, por edhe në Raiffeisen Ligën e Parë, e cila këtë vit rikthehet në formatin e një lige unike. Sipas tij, rivaliteti mes skuadrave me traditë dhe atyre që duan të bëjnë histori, garanton emocione dhe spektakël të shumtë.
Në fund, presidenti i FFK-së ka dhënë një mesazh urimi për të gjithë pjesëmarrësit në garë:
“Duke ua uruar edicionin e ri të gjitha klubeve, futbollistëve, tifozëve, sponsorëve, mediave por edhe zyrtarëve të të gjitha organeve të Federatës, besoj që ky kampionat të prodhojë sa më shumë futboll cilësor, spektakël, garë të rregullt e rivalizuese dhe sa më pak lëndime të futbollistëve. Qoftë një edicion i suksesshëm, e ju priftë e mbara!”