Adeyemi pozon në memorialin e UÇK-së, ‘çmenden’ mediat serb

29 maj 2025 | 12:11

Ylli i Borussia Dortmund dhe i përfaqësueses gjermane, Karim Adeyemi, po kalon disa ditë pushimi në Kosovë pas përfundimit të sezonit në Bundesligë. Futbollisti ndodhet atje së bashku me bashkëshorten e tij, këngëtaren e njohur me origjinë nga Ferizaj, Loredana Zefi, si dhe disa miq të afërt të çiftit.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Adeyemi ka vizituar disa vende simbolike, përfshirë memorialin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Shtërpcë. Para këtij memoriali, sulmuesi i Dortmundit është fotografuar duke bërë simbolin e shqiponjës dykrenare, një gjest që në kulturën shqiptare përfaqëson krenarinë kombëtare.

Ky veprim ka shkaktuar reagime të forta në Serbi, veçanërisht për shkak të afërsisë me ndeshjen e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë që do të luhet më 7 qershor në Tiranë. Mediat serbe e kanë cilësuar gjestin e Adeyemit si “provokues” dhe kanë publikuar foton me tituj të ashpër si: “Skandal – lojtari i Gjermanisë pozon para memorialit të UÇK-së në Kosovë”.

Në rrjetet sociale fotoja e Adeyemit me shqiponjën është pritur me entuziazëm nga shumë tifozë shqiptarë, që e kanë vlerësuar gjestin si një shenjë respekti ndaj trashëgimisë së bashkëshortes së tij dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e…