Adhurim Krasniqi falënderon Ragip Xhakën për bashkëpunimin dhe udhëheqjen e PDK-së në Zvicër
Nënkryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër, Adhurim Krasniqi, ka shprehur publikisht mirënjohjen e tij për bashkëpunimin njerëzor, politik dhe institucional me ish-kryetarin e degës, Ragip Xhaka, gjatë periudhës së udhëheqjes së tij.
Në një deklaratë falënderuese, Krasniqi ka theksuar se Kuvendi Zgjedhor i 14 majit 2022 përbën një moment të rëndësishëm për demokracinë e brendshme të PDK-së në Zvicër. Ai ka rikujtuar se, ndonëse në atë proces ishin kundërkandidatë, pas përfundimit të garës politike konkurrenca u shndërrua në bashkëpunim, ndërsa respekti i ndërsjellë në forcë politike.
“Si nënkryetar i degës, pata nderin të jem bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë i z. Xhaka. Bashkë ndërtuam ura besimi, punuam me përkushtim dhe e mbajtëm të bashkuar degën në momente që kërkonin maturi, vizion dhe përgjegjësi politike”, ka theksuar Krasniqi, duke vlerësuar këtë periudhë si dëshmi se politika mund të bëhet me dinjitet, ndershmëri dhe përkushtim.
Ai ka vënë në pah se gjatë gjithë bashkëpunimit, interesi i partisë dhe i mërgatës shqiptare në Zvicër është vendosur mbi interesat personale, duke e cilësuar këtë raport si jo vetëm funksional, por edhe thellësisht njerëzor, të bazuar në respekt dhe mirëbesim.
Në fund, Krasniqi ka falënderuar Ragip Xhakën për korrektësinë, hapësirën për mendim ndryshe dhe frymën bashkuese që, sipas tij, ka karakterizuar udhëheqjen e tij, duke i uruar shëndet, forcë dhe suksese në angazhimet e ardhshme. Ai ka shprehur bindjen se kontributi i Xhakës për PDK-në dhe për diasporën shqiptare do të mbetet i çmuar edhe në të ardhmen.



