
Adresimi i pabarazive për fëmijët në Kosovë: BE-ja dhe UNICEF-i bëjnë ndryshime në sistem për të mbrojtur fëmijët më të cenueshëm
Bashkimi Evropian dhe UNICEF Kosova sot shënojnë përfundimin me sukses të projektit të përbashkët trevjeçar e gjysmë “Mbrojtja e Fëmijëve të Cenueshëm në Kosovë”, një investim prej 2.2 milionë eurosh i zbatuar nga janari 2022 deri në qershor 2025. Ky partneritet strategjik ka sjellë përmirësime të rëndësishme në mbrojtjen, përfshirjen dhe mirëqenien e fëmijëve më të cenueshëm në Kosovë.
Ky bashkëpunim ka ndjekur një qasje të përqendruar te fëmija, duke ndërthurur mbështetjen e drejtpërdrejtë për fëmijët dhe familjet me reforma të qëndrueshme në sistem. Duke bashkëpunuar me institucionet qendrore dhe lokale, organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetet, projekti ka avancuar kornizën ligjore dhe politike, ka zgjeruar qasjen në shërbime themelore dhe të specializuara për rreth 10,000 fëmijë të cenueshëm dhe familjet e tyre, si dhe ka fuqizuar kapacitetet dhe angazhimin e 1,668 profesionistëve dhe ofruesve të shërbimeve për t’u përballur në mënyrë efektive me sfidat në zhvillim.
Bashkimi Evropian dhe UNICEF kanë vepruar si avokues dhe kanë bërë të ndryshimeve sistemore, duke sjellë palët e interesit bashkë, ndikuar në legjislacion dhe duke vendosur nevojat e fëmijëve në qendër të agjendës në Kosovë.
“Ky partneritet pasqyron vizionin tonë të përbashkët: një Kosovë ku çdo fëmijë është i sigurt, i përfshirë dhe ka mundësinë të zhvillohet,” tha znj. Veronika Vashchenko, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë. “Jemi krenarë për arritjet dhe jemi të përkushtuar të sigurojmë që këto përfitime të vazhdojnë dhe të zgjerohet ndikimi i tyre.”
Arritjet Kryesore
Mbrojtja e Fëmijëve në Situatë Rruge dhe Përmirësimi i Qasjes në Edukim
2,250 fëmijë të cenueshëm (55% vajza) në situata rruge kanë marrë shërbime emocionale, arsimore dhe psikologjike përmes ekipeve mobile në 6 komuna dhe përmes Qendrave Ditore në Prishtinë dhe Prizren.
300 familje të cenueshme (228 nëna) nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë në 4 komuna përfituan nga shërbime të përshtatura që përfshijnë këshillim individual, mbështetje psikologjike, programe prindërimi, trajnime për aftësi të buta dhe profesionale, si dhe mbështetje për gjenerim të të ardhurave.
Rreth 2,065 fëmijë me rrezik mesatar dhe të lartë u mbështetën përmes Tryezave të Menaxhimit të Rasteve me shërbime parandaluese, mbrojtëse dhe riintegruese.
Fushatat sensibilizuese arritën mbi 604,500 njerëz, me mesazhe kundër lypjes dhe abuzimit të fëmijëve, zvogëlimit të stigmës dhe dhunës, dekurajimit të mbështetjes publike për praktikat shfrytëzuese dhe inkurajimit të raportimit të abuzimit ndaj fëmijëve.
Përmes krijimit të Ekipeve për Parandalim dhe Reagim ndaj Braktisjes dhe Mos-Regjistrimit (PRTANs) në 151 shkolla, u identifikuan 985 fëmijë në rrezik braktisjeje dhe 340 fëmijë që kishin braktisur shkollën u riintegruan me sukses në sistemin arsimor.
500 anëtarë të PRTANs dhe 238 punëtorë socialë, organizata të bazuara në komunitet fuqizuan kapacitetet e tyre për zbatim, monitorim, raportim dhe referim të rasteve.
Përfshirja e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara
Më shumë se 2,100 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe 1,800 prindër përfituan nga qasja në arsim gjithëpërfshirës, teknologji ndihmëse dhe shërbime për rehabilitim në komunitet.
Përpjekjet e UNICEF-it siguruan një angazhim prej 3.7 milionë euro për shërbimet për aftësi të kufizuara në 5 komuna. Fushata #ZgjidheLomshin arriti mbi 840,000 njerëz, duke avokuar për shërbime dhe mjedise gjithëpërfshirëse. 600 profesionistë u trajnuan për të ofruar kujdes dhe mbrojtje për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata pa kujdes prindëror.
Parandalimi i Dhunës ndaj Fëmijëve
Programet e ndërmjetësimit nga bashkëmoshatarët u krijuan në 30 shkolla, duke përfshirë mbi 4,000 nxënës në zgjidhjen e konflikteve dhe parandalimin e dhunës. U miratuan udhëzimet kombëtare për sigurinë online dhe një fushatë digjitale kundër bullizmit ‘online’ arriti afër 300,000 njerëz. U zhvilluan standardet strukturore dhe Udhëzimet Standarde të Procedurës (SOP) për Shtëpitë për Mbrojtjen e Fëmijëve, duke vendosur bazën për shërbime miqësore ndaj fëmijëve për viktimat dhe dëshmitarët e dhunës.
Drejtësia e Përshtatshme për Fëmijë
Mbi 330 profesionistë të drejtësisë, përfshirë policinë, prokurorët, gjyqtarët, stafin e provës dhe korrektues u trajnuan mbi procedurat e ndjeshme ndaj fëmijëve dhe zbatimin e masave alternative. Një kurrikulë e re për Drejtësinë për Fëmijë u integrua në Akademinë e Drejtësisë së Kosovës.
Për më tepër, 74 të mitur në Qendrën Edukative-Korrektuese përfituan nga programe për zhvillim të aftësive të jetës dhe ato profesionale për rehabilitim dhe riintegrim.
Gjatë fjalimit të tij, z. Johannes Madsen, Shef i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, shprehu mirënjohjen për partneritetin me UNICEF-in dhe rikonfirmoi përkushtimin e vazhdueshëm të BE-së:
“Si donatori më i madh në Kosovë, Bashkimi Evropian ndjehet krenar për përparimin në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve më të cenueshëm përmes bashkëpunimit të ngushtë me UNICEF-in, institucionet vendore dhe shoqërinë civile. Ndërsa e njohim progresin e arritur, përkushtimi ynë për të siguruar që çdo fëmijë të rritet i sigurt, i mbështetur dhe me shpresë mbetet i palëkundur. Edhe pse ky projekt po përmbyllet, Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm përkrah fëmijëve të Kosovës në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë.”
Thirrje për Veprim të Vazhdueshëm
Megjithëse është arritur përparim i rëndësishëm, sfidat sistemore vazhdojnë. Zbatimi i vonuar i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, mungesa e një linje ndihmëse kombëtare për fëmijët, dhe mungesa e financimit për shërbimet themelore të mbrojtjes së fëmijëve tregojnë nevojën për investime të vazhdueshme dhe vullnet politik.
BE dhe UNICEF bëjnë thirrje për të gjitha institucionet që të ruajnë momentumin e krijuar dhe të sigurojnë që çdo fëmijë, pavarësisht prejardhjes apo Aftësisë, të rritet i sigurt, i fuqizuar dhe i përfshirë.
Ndryshimi transformues është i mundur kur institucionet punojnë së bashku. Le të vazhdojmë të kemi prioritetet fëmijët dhe të investojmë në të ardhmen e tyre, sepse të drejtat e tyre nuk mund të presin.