
Aeroporti “Adem Jashari” feston Ditën e Fëmijëve me aktivitete të veçanta
Në nder të 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” organizoi aktivitete të veçanta për të sjellë gëzim dhe buzëqeshje te fëmijët që ndodheshin në aeroport atë ditë.
Zyrtarë të aeroportit, të veshur me kostume maskotash të ndryshme, argëtuan fëmijët dhe u dhanë mundësi të bëjnë fotografi të bukura, duke e kthyer përjetimin në një kujtim të veçantë. Siç shihet edhe në fotografitë e publikuara në faqen zyrtare në “Facebook”, fëmijët ishin të entuziazmuar dhe të lumtur.
“Ishte kënaqësi të shihnim aq shumë fytyra të buzëqeshura në Ditën e Fëmijëve! Çdo fëmijë meriton dashuri, kujdes dhe një të ardhme më të mirë – dhe është detyra jonë të kontribuojmë për këtë”, thuhet në postimin e ANP-së në rrjetet sociale.
Kjo nuk është hera e parë që Aeroporti “Adem Jashari” organizon aktivitete të tilla për fëmijët dhe shtresa të ndryshme të shoqërisë, duke treguar përkushtimin e tij për përgjegjësi sociale.
Përndryshe, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës mbetet një nga më të frekuentuarit në rajon. Deri në gjysmën e parë të vitit 2025, ai ka përpunuar mbi 4 milion pasagjerë, duke u renditur ndër më të mirët në Ballkan për nga shërbimet dhe fluksi i udhëtarëve.