Aeroporti i Vlorës, Pacolli: Jam pala e tradhtuar
Biznesmeni Behgjet Pacolli, në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, në emisionin “Opinion” ka folur për konfliktin që ka pasur me ortakun e tij në aeroportin e Vlorës, Valon Ademi.
Pacolli ka thënë se nuk ka bërë padi i pari, por se pala tjetër ka bërë padi konkrete në prokurori dhe se ka bërë postime të shpeshta në rrjete sociale dhe në vende të tjera.
Ai është shprehur se gjithmonë ka dashur ta ruajë dinjitetin e Shqipërisë.
“Nuk jam i hetuar. Jam paditur. Nuk jam nën hetim. Unë isha në Prokurori dhe besoj në drejtësinë shqiptare, besoj fuqishëm. Shqipërisë i duhet një drejtësi e drejtë. Unë kam qenë pala e tradhtuar dhe e mashtruar. Unë mund t’i padisja menjëherë ata, por se ata (pala tjetër) kanë dalë dhe kanë bërë padi, dikush ka bërë padi penale, dikush ka bërë postime nëpër rrjete sociale, negative për mua”.
“Unë kam dashur ta ruaj dinjitetin e Shqipërisë. Ne tani kemi bërë kundër-padi dhe një apel në shkallën e dytë kemi apeluar masën e dytë dhe besoj se do vendoset në anën e së drejtës. Drejtësia, sado që vonohet, një ditë vjen si rrufeja”, ka thënë Pacolli.



