
Afati për qeverinë e re, Kusari-Lila thotë se ‘bisedimet kanë filluar’, por Alternativa kërkon zgjedhje
Mimoza Kusari-Lila e Alternativës, ka thënë se Albin Kurti i Vetëvendosjes ka filluar bisedimet për qeveri të re për të cilën afati kushtetues mbaron me 26 tetor, por, ajo, si subjekt më vete, ka kërkuar zgjedhje të reja parlamentare.
Kusari-Lila ka thënë se ende nuk ka diçka specifike, por se Vetëvendosja ka vija të kuqe me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listën Serbe.
“Gjatë javës kemi me filluar bisedat për formimin e qeverisë, ka pasur bisedime fillestare, por jo diçka specifike. Sa i përket bashkëpunimit me subjektet tjera politike, kemi qëndrimin se nuk bashkëpunojmë me dy parti në këtë rast, bëhet fjalë për PDK-në dhe Listën Serbe, ndërsa me të tjerët mbetet me shikuar a ka vullnet për bashkëpunim apo jo. Sa i përket ftesave, për LDK-në dhe të tjerët duhet të flasë dhe të vendosë vetë Kurti dhe LV-ja si mandatar për formimin e qeverisë”.
“Unë mund të flasë në emër të Alternativës, unë them se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e reja sepse tashmë është bërë një periudhë e gjatë prej kohës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe ka pasur disa ndryshime të cilat kërkojnë ri konfirmim të besimit të qytetarëve por natyrisht për zgjedhje gjithmonë jemi gati”, ka thënë Kusari-Lila për “Indeksonline”.